ICO: Komunikim konstruktiv

.

As të hënën, partitë politike në Kosovë nuk arritën të pajtohen për mënyrën e zgjedhjes së presidenti të ri të vendit. Zyra Civile Ndërkombëtare dhe njohësit e proceseve zgjedhore, thanë se Kosova do të mund të dalë nga situata aktuale vetëm përmes konsensusit ndërmjet partive politike.


Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë beson që përmes komunikimeve, siç thuhet, konstruktive ndërmjet të gjitha palëve, Kosova do të mund të dalë nga situata politike e krijuar pas aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Pavarësisht qëndrimeve të kundërta ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare, zëdhënësi i ICO-së, Ende Mekgafi, shfaqi besimin në gjetjen e gjuhës së përbashkët ndërmjet palëve të përfshira lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.
Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të votojnë për kandidatin, për të cilin besojnë se do t’i shërbejë dhe do t'i mbrojë më së miri interesat e
qytetarëve...


“Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të votojnë për kandidatin, për të cilin besojnë se do t’i shërbejë dhe do t'i mbrojë më së miri interesat e qytetarëve që e kanë votuar. Ne jemi të bindur se komunikimi konstruktiv ndërmjet të gjitha palëve, mund të çojë në zgjedhjen e presidentit”,
i tha Mekgafi, Radios Evropa e Lirë përmes një deklarate me shkrim.

Megjithatë, partitë politike në pushtet dhe ato opozitare në Kosovë nuk arritën as gjatë së hënës të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, paralajmëroi se që nga e mërkura do të nisë konsultimet me subjektet politike rreth zhvillimeve të fundit në vend.

Në tryezën e ideve për dalje nga situata aktuale figurojnë tashmë: zgjedhja e një presidenti konsensual, reformat zgjedhore, ndryshimi i Kushtetutës, caktimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme, por nuk është përjashtuar as mundësia që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Njohësit e proceseve elektorale në Kosovë thanë se nuk ka nevojë që të zbatohet varianti i fundit.

Adnan Merovci, dikur kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se reformat - qoftë të plota apo të pjesshme, të legjislacionit për zgjedhje, nuk mund ta zhbllokojnë situatën e krijuar.
Reformat zgjedhore - çka do që të ndodhë, janë të parealizueshme për t’u implementuar para dy vjetësh.


“Mendoj se është shumë vonë për të menduar se tani, në këto periudha, ne të bëjmë reforma zgjedhore shumë të shpejta. Reformat zgjedhore - çka do që të ndodhë, janë të parealizueshme për t’u implementuar para dy vjetësh”,
theksoi Merovci duke shfaqur besimin se do të mund të arrihet një marrëveshje politike ndërmjet subjekteve politike, përmes së cilës në krye të shtetit do të vihej një president konsensual.

Mirëpo, profesori në Fakultetin Juridik, Mazllum Baraliu, po ashtu ish-kryetar i KQZ-së, tha se edhe për zgjedhjen e një presidenti konsensual është i nevojshëm vullneti politik i të gjitha palëve të përfshira.

Baraliu e quajti urgjente një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare për t’ia hapur rrugën mbajtjes së seancës parlamentare, gjatë së cilës do të kishte më shumë së një kandidat për president dhe do të zbatohej parakushti për kuorumin e dy të tretave gjatë procedurës së zgjedhjes së tij.

Për reforma zgjedhore, sipas Baraliut, mund të mendohet tek pastaj.

“Do të ishte mirë që të zgjidhet presidenti - të kemi pra edhe presidentin edhe kryetarin e Parlamentit dhe institucionet të vazhdojnë punën e tyre me ndonjë marrëveshje eventuale për reformë edhe të Kodit Zgjedhor, edhe për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës - jo vetëm për segmentin që ka të bëjë me kryetarin e vendit, i cili do të duhej të zgjidhej drejtpërdrejt, por edhe për shumë çështje të tjera që kjo Kushtetutë të bëhet më funksionale, më e kuptueshme dhe më e zbatueshme”
, vlerësoi Baraliu.

Sipas nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Republikës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë; gjatë procedurës së votimit duhet ta ketë të paktën një kundër-kandidat dhe të pranishëm dy të tretat e deputetëve.

Mosrespektimi në tërësi i këtij neni në seancën parlamentare të 22 shkurtit ka krijuar gjendjen aktuale, në të cilën gjendet Kosova.

Lexoni edhe këto:
Mungesa e përgjegjësisë politike
Analistët: Zgjedhje të reja, por kur...!?