Krasniqi: Gjendja është kthyer në zero

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi tha se PDK-ja nuk duhet më të zhvillojë bisedime vetëm me AKR-në në lidhje me presidentin. Ai propozoi ndryshimet kushtetuese dhe presidenti të zgjidhet nga populli brenda afatit ligjor. Aleanca Kosova e Re, e cila më herët ishte kërcënuar se do të tërhiqej nga koalicioni, ka mbështetur këtë qeverisje dhe ka kërkuar nga partneri t’i mbetet besnik marrëveshjes për Pacollin president.


Jakup Krasniqi nuk dihet se për sa kohë do të qëndrojë si ushtrues detyre i presidentit, ndërkohë që mes subjekteve politike, atyre në pushtet dhe opozitës vazhdon të ketë qëndrime të ndryshme në lidhje me kandidatin për president.

Behxhet Pacolli, edhe pse ishte paralajmëruar, nuk mori pjesë të hënën në ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës së presidentit te kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, meqë siç u tha nga AKR-ja, kjo do të binte ndesh me nenin 90 të Kushtetutës dhe me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Që nga 30 marsi, Kushtetuesja shfuqizoi vendimin e Kuvendit, i cili zgjodhi Pacollin president, duke konsideruar se ishin shkelur procedurat kushtetuese.

Ndërsa, AKR-ja insistoi në ruajtjen e marrëveshjes me PDK-në, brenda PDK-së ka zëra që tashmë kërkojnë marrëveshje me të gjitha partitë për presidentin.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se nëse ka marrëveshje mes subjekteve politike, atëherë zgjidhja e qëndrueshme është e mundshme.

Tani gjendja është kthyer në zero. Unë mendoj se paraprakisht do të jetë një marrëveshje politike, mes partive politike që janë në Kuvend, do të thotë është e domosdoshme për të ecur më tej, për të zgjedhur presidentin”.

“Ne konsiderojmë se janë dy-tri mundësi që kemi përpara. Mundësia e parë është që partitë politike të bëjnë një marrëveshje dhe ta bëjnë një zgjidhje të një kandidati të mundshëm për president. Çështja tjetër është të ndërrohet Kushtetuta brenda këtij afati sa mund të shfrytëzohet detyra e ushtruesit të detyrës së presidentit dhe të shkohet me zgjedhje nga qytetarët”
, tha Krasniqi.

Neni 86 i Kushtetutës, që merret me zgjedhjen e presidentit, sipas Krasniqit, duhet ndërruar në atë mënyrë, që të mos “përsëriten pazaret politike”.

“Për të mos u bërë më zgjedhja e presidentit një farë pazari politik i partive politike, është mirë që presidenti të zgjidhet nga qytetarët e Kosovës dhe pastaj të formohen koalicione për të qeverisur vendin”,
i tha Radios Evropë e Lirë, zoti Krasniqi.

Në anën tjetër, Aleanca Kosova e Re, e cila më herët kishte thënë se do të dilte nga koalicioni me PDK-në, nëse Behxhet Pacolli nuk zgjidhet president, u shfaq me tone optimiste për mosprishjen e koalicionit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ushtruesi i detyrës së kryetarit Ibrahim Makolli, përmend disa nga përfundimet e dala nga takimi.

“Kryesia e AKR-së mbështet koalicionin qeverisës dhe rikonfirmimin e marrëveshjes në të gjitha pikat e saj me PDK-në; Kryesia e AKR-së, rikonfirmon mbështetjen për zotin Pacolli si kandidat i AKR-së për president të vendit; Kryesia e AKR-së i bën thirrje opozitës për një reflektim pozitiv për interesat e vendit për të dalë nga situata e krijuar; inkurajon partitë politike për konsulta për reforma zgjedhore, veçanërisht në ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidenti nga votuesit”
, deklaroi Makolli në një konferencë për gazetarë.

Makolli nuk saktësoi se çfarë do të bëjë AKR-ja, po qe se PDK-ja nuk i mbetet besnike marrëveshjes së arritur mes dy subjekteve në fjalë.

Por, kryetari i Kuvendit njëherësh sekretar i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili pati kundërshtuar hapur zgjedhjen e Pacollit për president, tha se partia e tij, si fituese e zgjedhjeve, më nuk duhet të flasë vetëm me AKR-në, por edhe me subjektet tjera politike për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Mendoj se tash duhet të zhvillohet një bisedë mes partive politike, të bëhet marrëveshje mes të gjitha partive politike parlamentare dhe jo vetëm mes AKR-së dhe PDK-së”,
theksoi Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese javën e kaluar tha se procedurat e zgjedhjes së Pacollit për president, më 22 shkurt, kishin qenë jokushteteuse, duke kthyer kështu situatën në pikën zero.

Por, vendimi i Kushtetueses u përcoll me dy kushte që duhet patjetër të plotësohen - propozimi i të paktën dy kandidatëve për president, dhe prania e 80 deputetëve në sallë.

Dilema mbetet tek opozita, e cila ka thënë se do ta bojkotojë sërish seancën, duke pamundësuar kështu kuorumin prej dy të tretave, po qe se kandidat është Behxhet Pacolli.

Ndërkohë, nga deklarimet e deritashme të drejtuesve të Partisë Demokratike të Kosovës është parë një ndasi në këtë parti në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Ndryshe nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se zgjidhja duhet të bëhet përmes reformave zgjedhore.

Sipas Krasniqit, zgjedhjet e parakohshme do të riciklonin krizën e njëjtë, në të cilën është futur Kosova që nga tetori i vitit të kaluar, kur dha dorëheqje presidenti Fatmir Sejdiu.

Ai premtoi se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së presidentit, do të takohet me subjektet politike për të kërkuar rrugëdalje nga ngërçi aktual politik.