FMN: Kosova s'guxon të ketë deficit

Fotografi ilustruese

Qeveria e Kosovës mund t’i rrisë pagat nëse ka më shumë prodhim, nëse ka një shkallë më të lartë të rritjes ekonomike, ose nëse ka rritje të produktivitetit, tha në një ligjëratë para studentëve kosovarë, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Hose Suleman.


Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Hose Suleman, në një ligjëratë para studentëve të kolegjit “Universum”, foli mbi rolin e FMN-së në Kosovë, me theks të veçantë për politikat fiskale dhe monetare.

Për të gjitha zhvillimet ekonomike në vend, përfaqësuesi i FMN-së kërkoi nga institucionet e vendit që të jenë më të vëmendshëm.

“Duhet të jeni shumë të kujdesshëm për të parë se si ndikojnë ndryshimet që janë shumë të mëdha të politikave, në gjërat e tjera dhe nëse ato i kontribuojnë zhvillimit të ekonomisë bazuar në prioritetet e përcaktuara. Tash nëse i analizojmë të ardhurat - nuk dua të flas shumë për to, por e është e rëndësishme që në periudhën afatmesme të nisë të merret parasysh, se nuk mund të mbështeteni përgjithmonë në taksat kufitare”, tha Suleman.

Ndërkohë, sa i përket mosmarrëveshjeve që Kosova i ka pasur me Fondin Monetar Ndërkombëtar lidhur me çështjen e ngritjes së pagave për sektorin publik, Suleman shprehet:
Ju mund t’i rrisni pagat nëse keni më shumë prodhim dhe nëse keni një shkallë më të lartë të rritjes ekonomike...


“Ju mund t’i rrisni pagat nëse keni më shumë prodhim dhe nëse keni një shkallë më të lartë të rritjes ekonomike, ose nëse keni rritje të produktivitetit”.

Sipas vendimit të Qeverisë, duke filluar nga 1 janari i këtij viti, sektori i arsimit parauniversitar, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, do të marrin paga me ngritje prej 50 për qind.

Policia e Kosovës do të ketë rritje pagash për 40 për qind, kurse, shërbyesit civilë, zyrtarët doganorë, shëndetësia, si dhe zjarrfikësit, do të kenë ngritje për 30 për qind.

E, të gjitha këto, buxhetit të Kosovës, do t’i kushtojnë mbi 100 milionë euro.

Ndërkaq, sipas përfaqësuesit të FMN-së, rritja e pagave për sektorin publik do të mund të bëhej, por jo më shumë se 15 për qind.

“Le ta zëmë që inflacioni është 7 për qind edhe pse kemi 13 për qind dhe le të supozojmë që produktiviteti është diçka rreth 2 për qind. Le ta zëmë, po ashtu, që rritja e pagave, edhe nën marrëveshjen, të cilën e kemi, do të shkonte ndoshta deri në 15 për qind. Bazuar në gjendjen ekonomike rritja e pagave do të mund të bëhej, për jo më shumë se 15 për qind - madje do të ishte edhe më e ulët”, theksoi Suleman.

Ai tha se shkalla e rritjes nominale të propozuar në buxhetin e miratuar nuk është 23 për qind, por është 27 për qind.

“Nëse lëvizni drejt integrimit evropian duhet shumë shpejt të nisni të mendoni se si të ardhurat e brendshme mund t’i kompensojnë këto shpenzime. Ky është diskutimi më i rëndësishëm i politikave që duhet ta keni tani”
, shtoi ai.

Në anën tjetër, sa i përket rrezikut nga deficiti buxhetor që mund të hyjë vendi në këtë vit, Suleman tërhoqi vërejtjen se Kosova duhet të ketë kujdes që deficiti i saj buxhetor të mos jetë më i lartë se 5 për qind e bruto prodhimit vendor (GDP).

Për të menaxhuar deficitin, Suleman sugjeron institucionet e Kosovës që të gjejnë fonde apo të hyjnë në borxh. Megjithatë, ai theksoi se nëse Kosova bën një gjë të tillë, do të duhej të krijojë një sektor brenda Ministrisë së Ekonomisë, i cili do të merrej me menaxhimin e kësaj çështjeje.

Gjithashtu, ai thekson se pasi është në fuqi marrëveshja e Qeverisë së Kosovës me FMN-në, Kosova nuk mund të hyjë në borxh deri në dhjetor të këtij viti.

Ndryshe, Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar në korrik të vitit 2009.

Lexoni edhe këto:
Buxheti me 5% deficit (?)
Kosovë, BE: Biznesi humb 140 milionë euro