Mijëra fermerë polakë marshuan në rrugët e Varshavës të martën, duke përshkallëzuar një protestë e cila nisi në fillim të shkurtit kundër importeve të ushqimit nga Ukraina dhe rregullave të gjelbra të Bashkimit Evropian.
Në rrugët e kryeqytetit polak, protestuesit mbajtën në duar flamurin kombëtar dhe u ranë borive.
Fermerët në të gjithë Evropën, për javë të tëra, kanë protestuar kundër kufizimeve të vendosura mbi ta, nga rregullat e “Marrëveshjes së Gjelbër” të BE-së që synojnë të trajtojnë ndryshimet klimatike, si dhe kostot në rritje dhe atë që ata thonë se është konkurrenca e pandershme nga jashtë BE-së, veçanërisht Ukraina.
Fermerët polakë u mblodhën në qendër të Varshavës, para se të marshonin drejt Parlamentit, dhe më pas zyrës së kryeministrit - rreth 3 kilometra larg.
"Ne po protestojmë sepse duam që ‘Marrëveshja e gjelbër’ të largohet, pasi ajo, me kostot e saj, do t'i çojë fermat tona drejt falimentimit", tha Kamil Wojciechowski, një fermer nga Izbica Kujawska në Poloninë qendrore.
"Dhe... ajo që ne paguhemi për punën tonë është ulur për shkak të fluksit të drithit nga Ukraina dhe kjo është kërkesa jonë e dytë - të bllokojmë fluksin e drithit nga Ukraina”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Fermerët polakë paralajmërojnë bllokimin e një pikëkalimi kyç me GjermaninëFermerët polakë filluan një seri protestash në të gjithë vendin në fillim të këtij muaji, të cilat përfshinin një bllokadë pothuajse totale të të gjitha pikave kufitare të Ukrainës, si dhe ndërprerje në porte dhe rrugë në të gjithë vendin.
"Ne nuk do të dorëzohemi. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Fermat tona do të falimentojnë, do të humbasim mjetet për jetesë," tha Pawel Walkowiak, një prodhues gruri nga Konarzewo në Poloninë perëndimore.
Kryeministri polak, Donald Tusk, tha gjatë një vizite në Pragë të martën se BE-ja duhet të zgjidhë problemet e krijuara nga vendimi i saj për të hapur kufijtë e saj për importet e produkteve ushqimore ukrainase, pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Askush nuk ka të drejtë të mendojë se Republika Çeke dhe Polonia nuk e mbështesin Ukrainën, por... ne do të punojmë së bashku në Bruksel për korrigjime që do të mbrojnë tregun tonë nga efektet negative të këtij vendimi”, tha Tusk.
BE-ja ia ka mundësuar Ukrainës qasjen në tregjet e saj pa asnjë tarifë, pas nisjes së luftës së Moskës në tokën ukrainase.
Disa prodhues polakë e kanë blerë grurin e lirë ukrainas, mirëpo mungesa e infrastrukturës nëpër porte ka nënkuptuar që gruri ka mbetur në Poloni dhe nuk është eksportuar në shtetet e treta.
Si rezultat, Polonia është përballur me nivele rekorde të grurit të mbetur në tokën e saj, vitin e kaluar.
SHIKONI EDHE: Fermerët polakë bllokojnë kufirin me Ukrainën për shkak të mospajtimeve për grurinNë maj, Komisioni Evropian ka marrë vendim për të ndaluar grurin ukrainas në pesë shtete fqinje, ndonëse nuk vendimi nuk ka vlejtur për transitin.
Kur ndalesa është hequr në shtator, Poloni e ka vënë një ndalesë në mënyrë të njëanshme për katër lloje të grurit, si dhe në miell dhe ushqimet për kafshët.
Qeveria e re polake, proevropiane, përkrah kërkesat e fermerëve dhe i ka bërë thirrje Brukselit që të arrihet një kompromis për importet me Ukrainën.
Në janar, BE-ja ka thënë se do të prezantojë “mekanizëm mbrojtës” që do t’i lejojë bllokut evropian të vendosë tarifa emergjente ndaj Ukrainës, nëse një sasi e madhe e importeve do të kërcënojë me destabilizim të tregjeve.