Ekspertët e Kombeve të Bashkuara (OKB) për diskriminimin ndaj grave dhe vajzave i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta njohë formalisht “aparteidin gjinor” si krim kundër njerëzimit.
Duke e theksuar gjendjen e rëndë të grave dhe vajzave nën sundimin taliban në Afganistan, paneli prej pesë ekspertëve nga Meksika, Shtetet e Bashkuara, Kina, Serbia dhe Uganda, tha se ky hap është dashur të ndërmerrej shumë kohë më parë.
“Sundimi taliban bën që futja e aparteidit gjinor në ligjin ndërkombëtar të jetë urgjencë”, u tha në një komunikatë për shtyp të OKB-së.
“Kjo do t’ia mundësonte bashkësisë ndërkombëtare t’i identifikojë dhe adresojë më mirë sulmet e regjimit ndaj grave dhe vajzave afgane”, thuhet në komunikatë.
SHIKONI EDHE: Grave beqare dhe të pashoqëruara u mbyllen të gjitha dyert nën sundimin talibanPrej se e morën pushtetin në gusht 2021 kur u larguan trupat ndërkombëtare nga vendi, talibanët e kanë rikthyer njërën prej politikave më të ashpra të diskriminimit gjinor në botë.
Qeveria talibane ua ka ndalur grave dhe vajzave të reja arsimimin dhe punësimin në shumicën e sektorëve. Synimi i saj është ta kontrollojë dukjen dhe paraqitjen publike të grave përmes kufizimeve të vazhdueshme.
Grave afgane u janë ndaluar gjithashtu edhe aktivitetet në kohën e lirë dhe shkuarja në banja. Grave u është ndaluar udhëheqja apo shkuarja në sallonet e bukurisë dhe në restorante.
“Ligjet, politikat dhe praktikat shtetërore që i cojnë gratë drejt kushteve të shtypjes dhe pabarazisë ekstreme, me qëllim që t’ua shkatërrojnë të drejtat e tyre njerëzore, pasqyrojnë thelbin e sistemeve aparteide”, thuhet në komunikatë.
SHIKONI EDHE: HRW: Mohimi i të drejtave bazike të grave në Afganistan, krim kundër njerëzimitEkspertët e OKB-së rekomanduan futjen e aparteidit gjinor si krim kundër njerëzimit në bazë të nenit 2 të draft neneve për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër njerëzimit.
Komisioni i Gjashtë i Asamblesë së Përgjithshme është duke e shqyrtuar draftlegjislacionin.
“Gratë arrestohen dhe torturohen përmes preteksteve të ndryshme”, tha një grua nga kryeqyteti afgan, Kabul, për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.
“Shpresoj se aparteidi gjinor do të njihet në Afganistan”, shtoi ajo.
Një grua tjetër në kryeqytet tha për Radion Azadi se diskriminimi gjinor duhet të marrë fund së shpejti.
“Mos e përjetësoni këtë krizë”, tha ajo.
Për më shumë se një vit, aktivistët afganë për të drejtat e njeriut kanë bërë fushatë për ta shpallur trajtimin e grave dhe vajzave afgane nga talibanët si aparteid gjinor.