"Kush mund të mbijetojë afër mbetjeve të rrezikshme”: Telashet e banorëve në afërsi të Shkupit

Lokacioni nga ku u zhvendosën mbetjet e rrezikshme në afërsi të fshatit Orman të Shkupit.

“Fatmirësisht, shiu që është duke rënë, nuk lejon që era t’i bartë grimcat e plumbit, në të kundërtën do të helmohej gjithçka këtu - jo vetëm njerëzit, po edhe toka e uji”, thotë Lubço Dimitrievski banor i fshatit Orman, në komunën e Gjorçe Petrovit që është pjesë e Shkupit.

“A ka dikush që nuk frikësohet kur e di se vetëm pak metra nga shtëpia e tij grumbullohen mbetje të rrezikshme. Era në çdo kohë mund t’i bartë gjithandej. E shihni lumin që kemi këtu, Lepencin?! Më herët çdo gurë që ngrije, gjeje peshk. Tani të gjithë kanë ngordhur... nga këto veprime të papërgjegjshme. Kush mund të mbijetojë afër mbetjeve të rrezikshme”, shprehet për Radion Evropa e Lirë, 61-vjeçari Dimitrievski.

Pamje e fshatit Orman

Të dielën, Inspektorati i Autorizuar për Mjedis Jetësor pranë Komunës së Gjorçe Petrovit, ka bërë të ditur se janë gjetur rreth 500-600 tonelata mbetje të rrezikshme të plumbit në dalje të fshatit Orman, rreth 100 metra larg lumit Lepenc.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Sreten Stojkovski, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se institucioni që drejton është duke mbledhur prova nëse kompania Recycle Eko Start është përgjegjëse për depozitimin e qindra tonë mbetjeve të rrezikshme të plumbit nga përpunimi i baterive.

Sipas tij, nëse vërtetohet origjina e mbetjeve, Inspektorati mund të bëjë kallëzim penal kundër kompanisë.

“Përgjegjësia mund të jetë penale, në varësi të madhësisë së subjektit. Nëse ndotja është në shkallë të gjerë me mbetje të rrezikshme, mund të hapet procedura penale. Gjobat për kompaninë mund të jenë maksimumi 98 mijë euro, varësisht nga madhësia e kompanisë, për veprim në kundërshtim me rregullat e menaxhimit të mbeturinave”, thotë Stojkovski.

Harta e transportimit të mbetjeve të rrezikshme nga fshati Orman në oborrin e kompanisë Recycle Eco Start.

Çfarë thotë Inspektorati?

“Sipas gjendjes së konstatuar në terren (ndërsa sipas Listës së llojeve të mbetjeve, Gazeta Zyrtare e RMV-së nr. 100/2005), bëhet fjalë për mbetje me kodin 10 04 – Mbetje nga pirometalurgjia e plumbit, 10. 04 01* – nga prodhimi primar dhe sekondar që, sipas klasifikimit, bën pjesë në kategorinë e mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Autorizuar për Mjedis Jetësor të Komunës së Gjorçe Petrovit, më 22 tetor.

Në bazë të lejes që posedon, Recycle Eko Start eksport-import Shkup, A-Integruar, mund të shkrijë bateritë si pjesë e procesit të riciklimit.

Por, nga provat që ka Inspektorati i Mjedisit rezulton se mbetjet e ngurta nga procesi i shkrirjes së baterive depozitoheshin në një parcelë në dalje të fshatit Orman.

Stojkovski thotë se edhe Prokuroria Publike ka kërkuar informacione për këtë rast nga institucioni që drejton.

Çka ndodh me mbetjet nga plumbi?

Më 18 tetor, inspektorët shtetërorë kanë marrë vendim që pronarët e tokave t'i zhvendosin mbeturinat e rrezikshme nga aty (parcelat kadastrale PK 247 KO Orman dhe PK 248/3 KO Orman) në një vend të përshtatshëm brenda 30 ditësh.

Kompania ku janë dërguar mbetjet që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin mjedisin.

Radio Evropa e Lirë është përpjekur të marrë qëndrimin e kompanisë, mirëpo numrat kontaktues të publikuar në faqen e kompanisë nuk ishin të qasshëm.

Radio Evropa e Lirë takoi punëtorë në hyrje të kompanisë, por ata nuk deshën të flasin rreth zhvendosjes së mbetjeve nga parcela në dalje të fshatit për në oborrin e kompanisë Recycle Eko Start, që ndodhet rreth 2.5 kilometra në rrugë Shkup-Bllacë, pranë lumit Lepenc.

Lumi Lepenc.

Punëtorët thanë se për çdo informacion duhet të kontaktohet pronari i kompanisë, Denis Gafner, i cili, sipas tyre, ndodhet në Rusi.

Nga të dhënat që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Denis Gafner nga Rusia posedon 65 për qind të aksioneve të kompanisë Recycle Eko Start.

Në bazë të lejes A – të integruar që ka kompania, e cila është publikuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kjo kompani funksionon në një parcelë me sipërfaqe prej 7.896 metrash katrorë. Në këtë hapësirë ndër të tjera ndodhet edhe impianti për shkrirjen e lëndëve të para të plumbit, një fabrikë për përpunimin e plumbit dhe një fabrikë për ndarjen e baterive.

Rruga për në Kosovë që kalon pranë kompanisë ku u zhvendosën mbeturinat e rrezikshme të depozituara në afërsi të fshatit Orman të Shkupit.

Nuk dihet koha e grumbullimit të mbeturinave

Derisa janë duke u grumbulluar dëshmitë, inspektorët shtetërorë, por edhe ata komunalë thonë se nuk kanë informacion se sa kohë janë depozituar mbeturinat në vend.

Organizata joqeveritarë për mbrojtjen e mjedisit “O2 Iniciativa” në një postim për mbetjet që janë gjetur në fshatin Orman, thekson se kompania Recycle Eko Start përpunon bateritë e vjetra dhe brenda vitit prodhon 10 mijë tonë plumb të rafinuar dhe 5 mijë legura të plumbit.

Pamje nga fshati Orman.


Kryetari i Komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkovski, tha për Radion Evropa e Lirë se inspektorët e komunës ishin ata që e informuan Inspektoratin Shtetëror se mbeturinat janë deponuar në vend.

Ai shton se inspektorët komunalë do të kenë takime me inspektorët shtetërorë për të ndriçuar rastin, ndërsa si më problematike theksoi faktin se si dhe ku do të depozitohen këto mbeturina.

“Problemi është se ku do të pastrohen këto mbeturina, sepse ne në Maqedoni nuk kemi deponi për këtë lloj mbeturinash. Ne nuk kemi një deponi me leje të integruar A dhe supozoj se një deponi e tillë duhet të gjendet diku në vendet fqinje. U informova se edhe në qytetin Veleshtë miliona tonë mbeturina të tilla qëndrojnë jashtë, supozoj për të njëjtën arsye, se s’kanë ku i çojnë dhe këtu komplikohet e gjithë puna”, tha Stojkovski.

Ai shtoi se nëse ka hetime për rrezikim të shëndetit të përgjithshëm të njerëzve, ndoshta në këtë rast duhet të përfshihen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike.