Ambasadorja e SHBA-së në NATO: KFOR-i do të ketë kapacitetet për t’u përballur me sfidat

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith. Fotografi nga arkivi.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, tha se misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, do të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me sfidat.

Para takimit të ministrave të Mbrojtjes së aleancës ushtarake perëndimore, Smith tha për gazetarët se pas rritjes së dhunës në veri të Kosovës, në selinë e NATO-s ishin monitoruar nga afër zhvillimet në terren.

“Të gjithë ne këtu në selinë e NATO-s, të gjithë aleatët e kemi monitoruar situatën në terren në Ballkanin Perëndimor. Kemi qenë të shqetësuar për rritjen e shenjave për paqëndrueshmëri dhe disa pika shpërthyese ku si pasojë pamë rritje të dhunës. Për këtë arsye, KFOR-i ka marrë disa vendime në ditët e kaluara për përdorimin e forcave strategjike rezervë”, tha ajo, duke shtuar se në Kosovë është rritur prania e ushtarëve nga Mbretëria e Bashkuar, Rumania dhe shtetet e tjera.

SHIKONI EDHE: Trupat britanike të NATO-s mbërrijnë në Kosovë

Pasi më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, NATO njoftoi për dërgimin e ushtarëve shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.

Si pasojë e sulmit në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve mes policisë dhe grupit të armatosur u vranë tre sulmues.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Ambasadorja Smith tha se aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të konsultohen me komandantin e forcave të NATO-s, gjeneralin Christopher Cavoli, për të parë nëse ka nevojë për ndihmë shtesë në mënyrë që KFOR-i të ketë mundësi të kryejë mandatin në Kosovë dhe të përballet me të gjitha sfidat eventuale.

SHIKONI EDHE:

Hoxha: Serbia, me sulmin në Banjskë, tentoi të krijojë një realitet të ri në KosovëHovenier: Çështja e përgjegjësisë mbi sulmin nuk merr fund me deklarimin e Radoiçiqit

Ajo përsëriti thirrjet drejtuar gjithë partnerëve në rajon që të ndjekin rrugën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke thënë se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme.

Ndryshe, ministrat e Mbrojtjes së 31 shteteve të NATO-s do të takohen të mërkurën dhe të enjten në Bruksel.