BE, e gatshme të organizojë takim ekspertësh për draft-statutin e Asociacionit

Shefi për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell(majtas), dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Fotografi nga arkivi.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të vizitave në Kosovë dhe Serbi, e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet. Më pas Borrell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren. Kështu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Stano iu përgjigj pyetjes rreth një drafti me propozimin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që e ka dërguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se “secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”.

SHIKONI EDHE: Drafti i Edi Ramës për Asociacionin, “tekst serioz“ për BE-në

“Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Stano.

Zëdhënësi i BE-së, Stano, konfirmoi se plani ishte që më 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat qysh më parë. Por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.

“I dërguari i posaçëm i BE-së është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, theksoi Stano.

SHIKONI EDHE: Sa draft-statute janë hartuar për Asociacionin?

Ndërkohë, nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë informuar për vizitën që Mirosllav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, kanë pasur gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd. Detyra e tyre ishte të përçojnë kërkesat për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sipas këtyre burimeve, nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të bisedohet për masat drejt shtensionimit të situatës, por, siç thuhet, kryeministri Albin Kurti ka hezituar të pranojë kërkesën për heqjen e menjëhershme të policisë speciale nga objektet komunale.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, “pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”.

*Video: Çfarë po kërkojnë diplomatët e huaj e çfarë po u ofron Kurti?


Nga ana tjetër, sipas raportimit te shtetet anëtare të BE-së nga ana e një pjesëtari të ekipit të Lajçakut, presidenti i Serbisë,Aleksandar Vuçiq, ka shprehur gatishmërinë për t’i bindur serbët lokalë në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, por nën disa kushte të caktuara.

Gjatë raportimit të ekipit të Lajçakut para përfaqësuesve të vendeve anëtare, gjithashtu, janë diskutuar mundësitë e ndërmarrjes së disa masave nëse nuk respektohen kërkesat ndërkombëtare rreth hapave drejt uljes së tensioneve.

Çështja e pezullimit eventual të vendimit të liberalizimit të vizave, nuk është në mesin e masave që shqyrtohen, kanë konfirmuar disa burime nga shtetet anëtare. Shumë prej tyre vlerësojnë se një vendim i tillë do të ishte goditje, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës e jo për ata të cilët Brukseli i konsideron përgjegjës për mosrespektimin e kërkesave ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE: Burimet e BE-së: Pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është opsion

Gjithashtu, ngrirja e disa programeve financiare për momentin nuk ka hasur në përkrahje te shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe ashtu, sipas diplomatëve, mosmbajtja e konferencës së donatorëve për shkak të mungesës së përparimit në implementimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj, është një lloj sanksioni.

Por, për Kosovën është përmendur si masë që pritet të ndodhë shpejt pezullimi i disa takimeve dhe suspendimi i një nënkomiteti të përbashkët të Kosovës dhe BE-së në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ky do të ishte një sinjal, ndërsa masat tjera do të shqyrtoheshin varësisht nga zhvillimet.