OKB: Bota të përgatitet për El Ninjon dhe temperatura të reja rekorde

Një grua e re duke ecur pranë një shatërvani gjatë një dite të nxehtë vere në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Agjencia meteorologjike e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për rritjen e gjasave për zhvillimin e fenomenit të motit, El Ninjo, në muajt e ardhshëm, duke nxitur temperatura më të larta globale dhe mbase edhe rekorde të reja nxehtësie.

Organizata Botërore Meteorologjike ka thënë të mërkurën se tani vlerëson që gjasat për zhvillimin e El Ninjos para fundit të korrikut qëndrojnë në 60 për qind, ndërsa para fundit të shtatorit në 80 për qind, raporton AFP.

“Kjo do t’i ndryshojë tendencat e motit dhe të klimës në mbarë botën”, ka thënë Wilfran Moufouma Okia, shef i shërbimit për parashikimin e klimës në OBM.

El Ninjo, një fenomen që ndodh natyrshëm, dhe që shoqërohet zakonisht me rritje të nxehtësisë në mbarë botën, por edhe me thatësirë në disa pjesë të botës dhe me shira të rrëmbyeshëm në zona tjera, për herë të fundit ka ndodhur më 2018-19.

SHIKONI EDHE: Moti i ngrohtë gjatë dimrit në Evropë thyen rekord

Që nga viti 2020, bota është goditur nga e kundërta e ftohtë e El Ninjos, një La Ninja jashtëzakonisht e gjatë, e cila ka përfunduar më herët këtë vit, duke i hapur rrugën kushteve aktuale neutrale.

Megjithatë, OKB-ja ka thënë se tetë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtit të regjistruar ndonjëherë, pavarësisht efektit ftohës të La Ninjas gjatë gjysmës së periudhës.

Pa atë fenomen moti, situata me ngrohjen mund të ketë qenë edhe më e keqe.

La Ninja “ka vepruar si fre i përkohshëm ndaj rritjes globale të temperaturave”, ka thënë shefi i OBM-së, Petteri Taalas.

Tani, “bota duhet të përgatitet për zhvillimin e El Ninjos”, ka paralajmëruar ai.

Në këtë fazë, nuk ka indikacione për fuqinë apo kohëzgjatjen e El Ninjos në ardhje.