Inflacioni i dhembshëm i Evropës është rritur edhe më, duke shtuar rëndesën ndaj ekonomive familjare dhe duke mbajtur trysninë ndaj Bankës Qendrore Evropiane për të miratuar atë që mund të jetë një tjetër rritje e madhe e normës së interesit.
Çmimet e konsumit në 20 vendet e Bashkimit Evropian që përdorin valutën euro janë rritur për 7 për qind në prill, krahasuar me një vit më parë, një shifër pak më e lartë se shkalla e përvitshme prej 6.9 për qind në mars, ka njoftuar agjencia e statistikave e BE-së, Eurostat, të martën.
Inflacioni i çmimeve të ushqimeve është zbutur paksa, duke rënë në një shkallë vjetore prej 13.6 për qind nga 15.5 për qind sa ishte në mars, përderisa çmimet e energjisë pësuan rritje më modeste prej 2.5 për qind, raporton AP.
SHIKONI EDHE: FMN i bën thirrje Bankës Qendrore Evropiane të vazhdojë me rritjen e normave të interesitInflacioni bazë, i cili nuk përfshin ushqimin dhe karburantet, është ngadalësuar paksa, por ende ishte i lartë, prej 5.6 për qind, duke forcuar bindjen se BQE-ja do të vazhdojë me fushatën e saj për mposhtjen e inflacionit me rritje të normës së interesit.
Analistët thonë se takimi i BQE-së, i paraparë për të enjten, në Frankfurt, mund të rezultojë me një rritje prej një çereku apo gjysmë pike të përqindjes.
Një ngritje e vogël do të ishte e moderuar në një varg rritjesh të shpejta nga banka, përderisa një ndryshim më i madh do të forconte shqetësimet se inflacioni ende nuk është rrugës së rënies drejt 2 përqindëshit, që konsiderohet niveli më i mirë për ekonominë.