Me simbole ruse, djathtistët serbë protestojnë kundër marrëveshjes me Kosovën

Your browser doesn’t support HTML5

Protesta në Beograd kundër Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 24 mars 2023.

Më 24 mars, mbështetësit e katër partive parlamentare të opozitës së djathtë bllokuan trafikun për një orë para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në qendër të Beogradit, duke kërkuar refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Lëvizja Dveri, Zavetnici (Të betuarit), Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë kërkuan dorëheqjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për atë që ata e quajtën “tradhti” dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Pjesëmarrësit e tubimit mbanin pankartat “Jo kapitullimit” dhe “Vuçiq dorëheqje”, ndërkaq disa kishin veshur edhe bluza me shkronjën Z, simbol i agresionit rus kundër Ukrainës.

Radomir Poçuça në një protestë kundër Marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, para Qeverisë së Serbisë në Beograd, 24 mars 2023.

Në protestë ishte edhe Radomir Poçuça, i cili si mercenar nga Serbia, në vitin 2014, luftoi me separatistët pro-rusë në Ukrainë.

Në vitin 2016, Poçuça lidhi marrëveshje me Gjykatën e Lartë në Beograd dhe u dënua me një vit e gjysmë burg, si dhe pesë vjet me kusht.

Sot ai është anëtar i partisë së djathtë parlamentare Zavetnici.

Protesta e djathtistëve në Beograd, 24 mars 2023.

Lëvizja Dveri, Zavetnici, Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë njoftuan në protestë se edhe në qytete të tjera “nëpër Serbi” kanë organizuar tubime dhe “bllokim” të selive të institucioneve.

“Nëse nuk ka revokim të pranimit të ultimatumit të ri perëndimor, atëherë zgjidhja e vetme është dorëheqja e presidentit të Republikës dhe e Qeverisë së Serbisë, si dhe të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet”, tha udhëheqësi i lëvizjes Dveri, Boshko Obradoviq, në një fjalim para gazetarëve, gjatë protestës para Qeverisë në Beograd.

Ai ka paralajmëruar edhe paraqitjen e kallëzimit penal kundër presidentit të Serbisë për, siç ka thënë, “veprën penale të njohjes së okupimit dhe rrënimit të rendit kushtetues” dhe se gjithashtu do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

Liderët e Dverit dhe Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Boshko Obradoviq dhe Milosh Jovanoviq, në protestë para Qeverisë në Beograd, 24 mars 2023.

Protesta në qendër të Beogradit, me moton “Jo kapitullimit”, filloi në orën 12 e 44 minuta, si aludim për Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë së atëhershme, në vitin 1999.

Më 24 mars 1999, NATO-ja filloi intervenimin e saj për shkak të eksodit dhe krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe kundër popullatës shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

Më 23 mars, Dveri, Zavetnici, Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë u dërguan një letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe ambasadave të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, në të cilën shprehën kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes evropiane dhe vlerësuan se ajo është “e pavlefshme”.

Letra iu drejtua përfaqësuesve të BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, deputetëve të Parlamentit Evropian dhe ambasadave të Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Qipros dhe Sllovakisë. Katër partitë opozitare të krahut të djathtë organizuan gjithashtu një protestë më 17 mars, një ditë para takimit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Ohër, në Maqedoninë e Veriut.

Disa mijëra njerëz më pas kanë shkuar në këmbë nga Kisha e Shën Savës deri në ndërtesën e Presidencës së Serbisë, me kërkesën që Vuçiq të refuzojë në Ohër planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke e quajtur këtë marrëveshje si “tradhti”.

Në mesin e pjesëmarrësve në protestë, ishte një grup burrash të cilët bartnin veshje me shenjat e formacionit paraushtarak rus Wagner.

SHIKONI EDHE: Simbole të Wagner-it shihen në protestën e djathtistëve në Beograd

Partitë që bënë thirrje për protestën ruajnë lidhje të ngushta me Rusinë, ndërkaq përfaqësuesit e tyre, në muajt e fundit kanë udhëtuar në Moskë.

Partitë dhe lëvizjet e djathta që organizuan protestën kanë 28 nga 250 ulëset parlamentare në Kuvendin e Serbisë.

Përfaqësuesit e këtij grupi e konsiderojnë marrëveshjen me Kosovën si ultimatum për njohje.

Në një takim në Ohër, më 18 mars, liderët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk kanë nënshkruar asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësit evropianë presin që palët të zbatojnë gjithçka që liderët kanë rënë dakord.

Serbia dhe Kosova ranë dakord që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë neni të Marrëveshjes.

SHIKONI EDHE: Djathtistët serbë në Dumën ruse, kundër pavarësisë së Kosovës

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha më 21 mars se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe se nuk bëhet fjalë për njohje.

Me këtë marrëveshje, Kosova u zotua që të fillojë të sigurojë një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme nga dialogu.

Marrëveshja nuk përmend njohjen reciproke, por thekson se palët duhet të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial.

Në Ohër u ra dakord që këto dokumente të bëhen pjesë integrale e procesit të integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, shpjegoi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, sepse presidenti serb deklaroi se ai kishte “kufizime kushtetuese” dhe për këtë arsye nuk ishte në gjendje të nënshkruante dokumentin.

Sipas Lajçakut, pavarësisht mungesës së nënshkrimit, marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, sepse ato janë pajtuar që ky dokument të formalizohet përmes një deklarate të përfaqësuesit të lartë të BE-së.