Ligjvënësit gjeorgjianë kanë votuar për të anuluar projektligjin për "agjentët e huaj", një projektligj që do të kishte kufizuar ashpër aktivitetin e grupeve të shoqërisë civile dhe mediave, pas tre ditësh protestash të dhunshme, mes akuzave se ligji pasqyron legjislacionin rus dhe mund ta shtyjë vendin drejt autoritarizmit.
Ligjvënësit votuan 35-1 kundër projektligjit, dhe në këtë mënyrë e anuluan në tërësi.
Ligjvënësit e opozitës pro-evropiane shpalosën flamujt e Bashkimit Evropian dhe Gjeorgjisë gjatë votimit.
Protestat në vend shpërthyen më 7 mars, kur ligjvënësit e Parlamentit gjeorgjian morën parasysh këtë ligj.
Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian, Tbilisi, për të natën të tretë me radhë, pavarësisht se partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane, u zotua se do të tërheqë Ligjin kundërthënës për “agjentë të huaj” nga Parlamenti.
Protestuesit më 9 mars u mblodhën jashtë Parlamentit, ku valëvitën flamujt të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian dhe brohoritën slogane kundër Qeverisë dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ligji i propozuar, i cili u mbështet nga partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane, dhe u miratua me nxitim në leximin e parë, kërkonte që organizatat e shoqërisë civile që marrin mbi 20 për qind të financimit të tyre nga burime të huaja të etiketohen si "agjentë të huaj".
SHIKONI EDHE: Në Gjeorgji vazhdojnë protestat pavarësisht tërheqjes së Ligjit për agjentët e huajKritikët thanë se ky ligj pasqyronte legjislacionin rus që ka kufizuar punën e gazetarëve të pavarur dhe institucioneve demokratike, sidomos mediat e huaja ose të financuara nga jashtë.
Ngjashmëria e projektligjit gjeorgjian me atë rus provokoi zemërim të gjerë në mesin e gjeorgjianëve, të cilët protestuan për dy ditë në rrugët e kryeqytetit, ku u pritën me gaz lotsjellës dhe topa uji nga forcat e sigurisë dhe policia.
Në mbrëmjen e 9 marsit, presidentja gjeorgjiane, Salome Zurabishvili, u dërgoi një mesazh mbështetjeje protestuesve përmes një video-adresimi.
“Para së gjithash, dua t’iu uroj të gjithëve si shoqëri për këtë fitore të parë të këtij lloji. Mirëpres përmirësimin e hapave të ndërmarra nga Qeveria për faktin se ata u tërhoqën nga ky draft-ligj”, tha ajo.
Presidentja e vendit, Salome Zurabishvili, kishte thënë se do të vendosë veto ndaj projektligjit, megjithëse Parlamenti mund ta kishte anuluar veton e saj.
Your browser doesn’t support HTML5
Delegacioni i BE-së në Gjeorgji tha në një postim në Twitter se e mirëpret njoftimin për tërheqjen e projektligjit.
“Ne inkurajojmë të gjithë liderët politikë në Gjeorgji që të rifillojnë reformat pro-BE, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive dhe në përputhje me 12 prioritetet që Gjeorgjia të arrijë statusin e kandidatit”, thuhet në deklaratë.
Gjeorgjia ka lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por zyrtarët e BE-së thanë se ligji për "agjentët e huaj" do të ndërlikonte rrugën e anëtarësimit të vendit.
Vitin e kaluar, blloku nuk pranoi t'i jepte statusin e kandidatit Gjeorgjisë, duke përmendur reformat e ngecura në politikë dhe gjyqësor.