Mbi 21.000 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri, teksa shpresat për të nxjerrë të mbijetuar nga gërmadhat e ndërtesave të rrënuara po zbehen për çdo orë që kalon.
Në Turqi, më shumë se 17.674 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 60.000 janë plagosur, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive. Në Siri janë raportuar më shumë se 3.377 viktima.
Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të dini për tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë?Gjatë natës, ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkojnë për të mbijetuar mes rrënojave të strukturave të shembura, por shpresat për të gjetur më shumë njerëz të gjallë shkojnë duke u zvogëluar pasi kanë kaluar më shumë se tri ditë që nga tërmetet.
Përpjekjet për shpëtim janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre.
Ekspertët thanë se koha po mbaron për të mbijetuarit e bllokuar nën rrënojat e tërmeteve në Turqi dhe Siri, teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë vendimtare në 72 orët e para.
SHIKONI EDHE: Pse janë të rëndësishme 72 orët e para pas tërmeteve?Më shumë se 90 për qind e të mbijetuarve të tërmetit shpëtohen brenda tri ditëve të para, thanë ata.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vizitoi të mërkurën provincën e Hatait, e cila është goditur rëndë, prej ku banorët kanë kritikuar përpjekjet e Qeverisë, duke thënë se ekipet e kërkim-shpëtimit shkuan me vonesë.
Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive, më shumë se 110.000 trupa të ekipeve të shpëtimit po marrin pjesë në operacionet për të shpëtuar sa më shumë jetë, dhe më shumë se 5.500 automjete, përfshirë traktorë, vinça, buldozerë dhe ekskavatorë janë dërguar në zonat e prekura nga tërmetet.