Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë të befasuar nga rezultati që ka shënuar shteti i tyre në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Trasparency International.
Këtë vit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.
Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, para Maqedonisë së Veriut është Mali i Zi dhe Kosova, përderisa me rezultate më të këqija mbeten Shqipëria dhe Serbia.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Qytetarët thonë se përderisa sistemi gjyqësor drejtohet nga persona të afërt me partitë politike në pushtet, është shumë e vështirë që personat e korruptuar të përballen me drejtësinë.
“Aplikova për banesë sociale, komisioni erdhi dhe e pa se në çfarë gjendje të vështirë jetoj, gjithashtu konfirmuan se jam i papunë me kurrfarë të ardhurash. Anëtarët e komisionit i ngritën krahët, kur i pyeta se pse emri im nuk është në listën e përfituesve të banesave sociale. Gjithçka shkon me miq dhe bakshishe. Nuk ke ku të ankohesh”, thotë Berkand Jashari, duke shpjeguar se nuk ka bërë ankesë pasi nuk u beson institucioneve për të gjetur drejtësinë.
Edhe Millan Josifovski, pensionist, pretendon se pothuajse asnjë punë nuk mund ta kryesh nëse nuk ke të njohur në institucione.
“Nuk e di se çka është puna. Vitet kalojnë dhe ne mbetemi në vendnumërim. Kishim shumë shpresa te socialdemokratët e (ish-kryeministrit, Zoran) Zaevit se, pas grilave do shkojnë të gjithë ata që kanë keqpërdorur pozitat udhëheqëse. Por për fat të keq kjo nuk ndodhi” thotë ai.
SHIKONI EDHE: Shkupit i kërkohen rezultate konkrete në luftimin e korrupsionitIntegriteti i diskutueshëm i gjykatësve rrit mosbesimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor
Në raportin e Transparecy International për këtë vit përmendet se mungesa e integritetit gjatë zgjedhjes së figurave kyçe në gjyqësor, trajtimi joefikas i rasteve kundër korrupsionit në nivele të larta, por dhe mungesa e integritetit gjatë zgjedhjes së gjykatëse dhe prokurorëve, janë apostrofuar si pika të errëta që pengojnë arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut.
“Që të sigurohet përgjegjësia dhe të tregohet vullnet i vërtetë në luftën anti-korrupsion, Qeveria duhet që në mënyrë adekuate të sigurojë resurse dhe të mundësojë pavarësinë e Komisionit kundër Korrupsion dhe të institucioneve përgjegjëse për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar Sllagjana Taseva, nga dega e Transparency International në Maqedoninë e Veriut.
Së fundmi janë intensifikuar thirrjet e faktorit ndërkombëtar, kryesisht nga ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler për inicimin e lëndëve të ngritura kundër rasteve që kanë të bëjnë me korrupsion të lartë.
SHIKONI EDHE: Lufta kundër korrupsionit, prioritet i SHBA-së në Maqedoninë e V.Bashkim Selmani, ish-gjykatës, aktualisht ligjërues i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo do të mund të arrihet vetëm nëse gjyqësori kontrollohet nga një ekip i ekspertëve të huaj.
“Zgjidhja e vetme për të zhbllokuar gjyqësorin nga ndikimi i politikës do të ishte që Bashkimi Evropian, paralelisht me procesin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane, të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në bazë të resurseve të ekspertëve. Në këtë rast një prokuror ndërkombëtar do të duhej të merrte në kompetencë të vet lëndët e korrupsionit në nivel të lartë dhe krahas kësaj do të duhej të formonte dhe një trup të gjykatësve që do t’i çonte deri në fund këto lëndë. E vetmja zgjidhje pra do të ishte një prokuror ndërkombëtar, siç ishte rasti me Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe një trup i gjykatësve që do të monitorohej nga ekspertët ndërkombëtarë”, thotë Bashkim Selmani.
Ndërkohë nga Prokuroria Themelore nuk kanë dashur të komentojnë raportin e Trasparency International, megjithëse nënvizojnë se mbeten të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.