Policia rumune zgjeron hetimet për Andrew Tate

Andrew Tate (majtas) dhe Tristan Tate (djathtas) së bashku me dy gra rumune dalin nga një gjykatë në Bukuresht, Rumani. 10 janar 2023.

BBC

Policia rumune është duke zgjeruar hetimet për ish-kampionin e kikboksit, Andrew Tate, duke i konfiskuar makinat luksoze në Budapest përgjatë fundjavës, si dhe duke i bastisur shtatë shtëpi tjera që janë në pronësi të tij.

Teksa autoritetet kanë konfiskuar Porche-n e tij dhe makinat tjera, një pëlqyes i Tate është parë i vetmuar.

“E konsideroj veten tifoz. Të gjithë e duan stilin e tij të jetës”, ka thënë burri i ri i identifikuar si Emanual.

“Nuk më pëlqen çfarë jam duke dëgjuar për të, mirëpo do ta shohim nëse janë të vërteta. Do ta ndryshoj qasjen kur të kem prova”.

Disa pëlqyes tjerë të tij e konsiderojnë konfiskimin e makinave si shenjë se autoritetet rumune janë duke u përgatitur për fazën e re të rastit, pra, që të kenë asete për kompensim potencial të viktimave, në rast se Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan, akuzohen për trafikim me njerëz.

Bastisjet në shtatë prona të tij, javën e kaluar, shihen si shenjë se hetuesit janë duke zgjeruar kërkimet për rastin e tij.

Në qytezën Komarnik, vila Tate është bastisur nga policia të enjten, bashkë me shtëpitë tjera në afërsi.

Fqinjët kanë thënë se prona është renovuar plotësisht vitin e kaluar, dhe punimet kanë përfunduar muajt e fundit.

Trandafir Beldica jeton shumë në afërsi të vilës.

“Burri që ka qenë i angazhuar për ndërtimet, më ka kërkuar t’i ndihmoj në fushën e elektrikës, por kur më ka treguar se çfarë dëshiron, u kam thënë se ato shkojnë përtej asaj që di”.

Ai ka thënë se brenda, “shtëpia ka gjithçka që mund të të shkojë mendja”.

“Është jashtëzakonisht luksoze”, ka treguar ai.

“Është e ndarë në banesa dhe ka një pishinë, ka gjëra që njerëzit si ne as nuk mund të ëndërrojnë që t’i kenë”.

SHIKONI EDHE: Pas arrestimit të Andrew Tate, zbulohen taktikat e trafikantëve për mashtrimin e vajzave

Çështja sesi Andrew Tate e ka krijuar këtë pasuri është po ashtu pjesë e hetimeve.

Policia dëshiron të di nëse ai i ka joshur gratë në Rumani me premtimet për lidhje serioze apo martesë, para se t’i detyrojë, apo t’i manipulojë ato që të punojnë për të si modele në kanalet argëtuese për të rritur.

Autoritetet janë duke shqyrtuar edhe dyshimet për dhunime që i ka bërë një prej dëshmitareve.

Hetuesit kanë konfirmuar se gjashtë gra janë identifikuar si viktima potenciale.

Mirëpo javën e kaluar, dy prej grave të përfshira në hetime kanë mohuar publikisht se janë keqtrajtuar nga vëllezërit Tate.

Gruaja – e cila ka tatu me mbishkrimet “Prona e Tate” dhe “Vajza e Tate”, ka punuar në një ndërtesë në Bukuresht ku Andrew Tate ka jetuar me vëllain e tij dhe ku ka ftuar vajzat që të përfshihen në biznesin e tij – një kanal online për të rritur.

Duke folur për kanalin televiziv rumun Antena 1, gruaja në fjalë – e identifikuar si Beatrice – ka thënë se ka qenë “mike e mirë” me vëllezërit Tate për dy vjet dhe tatutë në trup i ka “si shenjë respekti për ta”.

Gruaja tjetër – Jasmin – ka thënë se nuk e ka vërejtuar kurrë Tate apo vëllain e tij, Triastin që kanë qenë “agresivë apo të pasjellshëm”.

Transmetuesi britanik BBC i ka identifikuar identitetet e tyre me një ish-pjesëtar të stafit Tate.

“Nuk kam qenë e kërcënuar kurrë”, ka thënë Beatrice.

“Nëse do të kisha qenë, nuk do të isha aq budallaqe sa të qëndroja në atë shtëpi”.

“Nuk mund të më përshkruani si viktimë në atë rast, nëse nuk kam qenë viktimë”.

Duke e përshkruar momentin kur policia ka hyrë për herë të parë në ndërtesë, në dhjetor, Beatrice ka thënë se 20 zyrtarë policorë kanë hyrë në një dhomë, ku sipas saj, kanë qenë dy gra që e kanë mbyllur veten nga frika e bastisjes.

“Ata e kanë thyer derën. Gratë kanë bërtitur”, ka thënë Beatrice.

“Mirëpo policia nuk e ka parë që çelësi i dhomës ka qenë në shtrat”.

BBC ka folur edhe me persona tjerë që kanë kujtime tjera për bastisjen.

Ekzistojnë pak hollësi se çfarë kanë mbledhur hetuesit deri më tani.

SHIKONI EDHE: Andrew Tate mbetet në paraburgim në Rumani edhe 30 ditë

Në mesin e ish-bashkëpunëtoreve të Tate ekzistojnë pretendime, kundër-akuza dhe teori konspirative.

Zëdhënësja e Agjencisë Kombëtare kundër Trafikimit në Rumani, Mihaela Dragus, ka thënë se ende nuk janë ngritur akuzat, mirëpo ky rast veçse çon mesazhe të fuqishme për trafikantët dhe viktimat.

“Fakti që sistemi gjyqësor ka vendosur të mbajë vëllezërit në mbajtje, edhe gjatë fazës preliminare të rastit, dërgon mesazh shumë të qartë”, ka thënë ajo.

Në njërin prej materialeve të publikuara në rrjetet sociale, Andrew Tate sqaron pse ai është shpërngulur në Rumani më 2017.

“Njëra prej arsyeve është epoka #MeToo”, ka thënë ai.

“Njerëzit thonë: ‘Ju jeni dhunues’. Jo, nuk jam dhunues, mirëpo më pëlqen ideja që të mund të bëj çfarë të dua, të jem i lirë”.

“Nëse ajo shkon te policia rumune dhe thotë: ‘Ai më ka dhunuar dje’, ata do të thonë, mirë, a ke prova? A ekzistojnë incizime?

Asnjëra prej tyre nuk janë të dhëna që Tate ka qenë i përfshirë në trafikim me njerëz, apo dhunime, mirëpo vlerësimet e tij për qasjen e Rumanisë ndaj krimeve seksuale nuk janë të gabuara”, ka thënë Laura Stefan, eksperte ligjore dhe pjesëtare e Institutit Expert Forum.

“Në njëfarë mënyre, ai ka të drejtë”, ka thënë ajo.

“Teksa e dëgjon atë, mënyrën se si e sqaron pse ka ardhur këtu, unë e krijoj një ide, mendoj që ka bërë kalkulim të mirë, fatkeqësisht”.

Mirëpo ajo beson se gjërat janë duke ndryshuar.

“Rumania ka problem serioz me trafikimin dhe mendoj që autoritetet rumune e kanë kuptuar që duhet të merren me këtë çështje”, ka sqaruar ajo.

“Kjo nënkupton, jo vetëm hetimin, por edhe nisjen e punës me viktimat dhe ofrimin e mbështetjes”.

Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin në botë, Rumania ka bërë përparim të dukshëm, ndonëse aty janë përmendur shqetësimet se vetë zyrtarët rumunë janë të përfshirë në këto shkelje.

Ky rast kaq kontrovers, që përfshin një personalitet të njohur sikurse amerikano-britaniku Tate, ka vënë në pah mënyrën sesi Rumania menaxhon supozimet për krim të organizuar dhe shfrytëzime seksuale.

Policia ka më pak se dy javë për ngritur akuza ndaj vëllezërve Tate, apo të gjejë të dhëna të mjaftueshme për të bindur gjyqtarin për të zgjatur kohën e ndalimit derisa vazhdojnë hetimet.

Në këtë rast është fjala për reputacionin e Andrew Tate. Por edhe të Romanisë, gjithashtu.

Përgatiti: Krenare Cubolli