Shkupi e shpall “të margjinalizuar” eurodeputetin bullgar, Angel Xhambaski

Ndërtesa e Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut u kërkoi të dielën autoriteteve të Bullgarisë që të distancohen nga deklaratat e “figurave politike margjinale” që morën pjesë në një manifestim të shtunën në Shkup, ku “provokuan ndjenjat kombëtare e shtetërore të popullit maqedonas”.

Angel Xhambaski, eurodeputet bullgar dhe drejtues i partisë bullgare VMRO BND (Lëvizja Popullore Bullgare) në një manifestim kushtuar 95-vjetorit të vdekjes së Mara Bunevas – një grua revolucionare bullgare, e cila, sipas politikanëve në Sofjes, ka luftuar për “çlirimin dhe bashkimin e tokave bullgare” - ka provokuar me disa mbishkrime si “Një shtet! Dy kombe”, “Maqedonia, Thrakia”, “Stop gjenocidit ndaj bullgarëve” e tjera.

“Këtu në Kalanë e Vardarit, jemi mbledhur për të nderuar bullgaren e madhe Mara Buneva dhe për t'i mbështetur vëllezërit bullgarë në Maqedoni. Le t'ua bëjmë të qartë politikanëve serbomëdhenj në pushtet se nuk do t'i lëmë të vazhdojnë politikën e gjenocidit ndaj bullgarëve të urdhëruar nga Kominterni dhe të kryer nga Maqedonia që nga 7 janari 1945. Nuk do të lejojmë vazhdimin e shkombëtarizimit të bullgarëve”, tha Xhambaski.

Autoritetet maqedonase i kanë cilësuar këto deklarata si “provokim i rëndë” që rrënojnë përpjekjet për përmirësimin e raporteve mes dy shteteve.

SHIKONI EDHE: Shkupi nis debatin për ndryshimet kushtetuese, opozita me kushtëzime

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me shumë vëmendje deklaratat e disa figurave politike margjinale nga Bullgaria, provokimet e të cilëve vazhdojnë, pa marrë parasysh përpjekjet e dy vendeve për të ruajtur bashkëpunimin konstruktiv dhe frymën pozitive në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve. Kërkojmë nga Sofja të distancohet nga “figurat e margjinalizuara politike”, thuhet në reagimin e MPJ-së në Shkup.

Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe deputeti bullgar dhe lideri i partisë “Rimëkëmbja”, Kostadin Kostadinov, për të cilin kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se “nuk është i mirëseardhur në Maqedoninë e Veriut për shkak të provokimeve të shumta dhe deklaratave irredentiste për shtetin dhe popullin maqedonas”.

VMRO DPMNE-ja, partia opozitare maqedonase, dënoi fjalimet e zyrtarëve bullgarë duke i quajtur “negative dhe asimiluese”.

Në reagimin e partisë thuhet se “deklaratat e tilla që mohojnë Maqedoninë janë pasojë e politikave tradhtare të Lidhjes Social-Demokrate dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski”.

Zhvillimet e fundit vijnë gati tre muaj pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, që u kundërshtuan nga pala maqedonase pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajlovit, personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

SHIKONI EDHE: Luftimi i korrupsionit dhe ndryshimet kushtetuese, sfidat e Shkupit gjatë 2023-shit

Maqedonia e Veriut ka intensifikuar debatin mbi nevojën e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e kushtetutës maqedonase, pikë që është e përfshirë në marrëveshjen mes dy vendeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën, identitetin dhe aspektet historike.

Ndryshimet kushtetuese janë kusht për vazhdimin e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, pasi në të kundërtën Bullgaria, si vend anëtar i BE-së, mund të bllokojë bisedimet, ashtu siç kishte bërë në nëntor të vitit 2020 kur vendosi veton.