Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova po punon me KFOR-in për ta adresuar situatën “shpejt dhe në mënyrë paqësore”, por ka cilësuar se për tensionimet e fundit në veri nuk ka “pretekst”.
“Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe shtyrjen e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i dobët për [vendosjen e] barrikadave dhe sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës”, shtoi ai.
Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë ngritur barrikada të shtunën, pas arrestimit të ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të, siç është thënë, dëshmive se ai ka organizuar "sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit", më 6 dhjetor.
Situata në veri ka qenë e tensionuar që nga fillimi i nëntorit, kur përfaqësues të komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës. Situata ishte qetësuar përkohësisht pas arritjes së një marrëveshje mes palëve kosovare dhe serbe në Bruksel.
Por, zgjedhjet ishin planifikuar më 18 dhjetor dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – kishte kundërshtuar mbajtjen e tyre. Të shtunën, presidentja Vjosa Osmani i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.
Gjithashtu, Kurti u është kundërpërgjigjur kërkesave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, për dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës, duke thënë se "Republika e Kosovës do të mbrohet – me forcë dhe vendosmëri”.
“Presidentja dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet - me forcë dhe vendosmëri”, shkroi Kurti në Twitter.
Vuçiq paralajmëroi të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Ndërsa, të premten, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se Serbia synon të kërkojë kthimin e një numri të caktuar trupash në Kosovë.