Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me të cilët ka biseduar për çështjen e vizave dhe dialogut.
Takimi trepalësh u zhvillua në margjina të samitit inaugurues të platformës së Bashkësisë Politike Evropiane, që u mbajt në Pragë më 6 tetor.
Sipas njoftimit, Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për "angazhimin e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së".
SHIKONI EDHE: Tri pyetje për procesin e liberalizimit të vizaveKosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo çështje do të jetë në rend dite të Këshillit Evropian më 13 tetor.
Por, Osmani gjatë një konference për media në mbyllje të samitit në Pragë, tha se Kosova është e "kujdesshme" sa i përket këtij takimi të BE-së.
"Jemi shumë optimistë dhe të kujdesshëm sa i përket atij takimi. Por, nuk përfundon gjithçka aty sepse ka edhe shumë hapa të tjerë deri në hyrjen në fuqi", tha Osmani.
Osmani ka biseduar me liderët e Francës dhe Gjermanisë edhe për dialogun me Serbinë që ka kërkuar të mbyllet "sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë" dhe duke mos prekur integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Në konferencën në Pragë, ajo dha detaje të tjera lidhur me bisedën me dy liderët evropianë, sa i përket dialogut.
"Si përfaqësuese e Kosovës, para presidentit Macron dhe kancelarit Scholz kam paraqitur se cilat janë vijat tona të kuqe, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit të vendit, kushtetutshmërisë së vendit, parimin e unitaritetit të shtetit. Dhe po ashtu, rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, pra mos të lejojmë zgjidhje të cilat më shumë shkaktojnë probleme sesa që sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon", tha Osmani për gazetarët.
SHIKONI EDHE: Shtytje e re për dialogun Kosovë-SerbiPresidentja e Kosovës ka falënderoi Parisin dhe Berlinin për përpjekjet e tyre për të intensifikuar procesin e dialogut.
Scholz dhe Macron së fundmi kanë emëruar këshilltarët, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të shtyjnë palët drejt përmbylljes së procesit.
Osmani u pyet nga gazetarët nëse Kosova ka modalitete për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo tha se nuk është në interes as të Kosovës, e as të rajonit, që të shkohet përtej Kushtetutës së Kosovës, pasi sipas saj, do të mund të prodhoheshin modele sikurse Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, që sipas Osmanit, nuk ka funksionuar.
"Modalitet për ne është Kushtetuta e Kosovës. Ajo është alfa dhe omega e secilit veprim tonin. Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese ai i cili e trason rrugën. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton që mekanizma të tillë nuk mund të jenë as njëetnik, e as të kenë kompetenca ekzekutive, e as nuk mund të krijojnë një shtresë të ndërmjetme të qeverisjes që do të binte ndesh me Kushtetutën. Këto janë parimet tona", tha presidentja e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Modelet evropiane që mund të përdoren për AsociacioninNdryshe, Kosova ishte në mesin e 44 shteteve që u ftuan në samitin e Bashkësisë Politike Evropiane, që po mbahet në kohën kur kontinenti evropian po përballet me sfida të sigurisë dhe energjisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Samiti në Pragë: Liderët diskutojnë për Ukrainën, energjinë dhe sigurinëSipas një njoftimi të Presidencës së Kosovës, Osmani në takim ka kërkuar përkrahjen e shteteve evropiane për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Bashkësia Politike Evropiane është një forum, që fillimisht ishte propozuar në maj të këtij viti nga presidenti francez Macron. Sipas liderit të Francës, ky forum nuk synon të zëvendësojë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, për shtetet aspiruese. Ai ka thënë se Bashkësia do të shërbejë për të lehtësuar shkëmbimet mes shteteve të BE-së dhe atyre që janë jashtë bllokut.