Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 30 shtator kanë vendosur sanksione të reja ndaj qindra individëve rusë, pasi presidenti, Vladimir Putin, nënshkroi "traktatet e pranimit" për aneksimin e katër rajoneve ukrainase.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se në listë janë qindra anëtarë të legjislaturës ruse, drejtues të infrastrukturës financiare dhe ushtarake të vendit, dhe furnizues që mbështesin kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë.
Departamenti i përshkroi sanksionet si "të shpejta dhe të rënda", në përgjigje të "aneksimit të supozuar" të Putinit të rajoneve ukrainase: Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Yanet Yellen, tha se po ndërmarrin veprime gjithëpërfshirëse, “për të dobësuar edhe më tej kompleksin ushtarak-industrial tashmë të degraduar të Rusisë dhe për të minuar aftësinë e saj për të zhvilluar luftën e paligjshme”.
Njoftimi i Departamentit të Thesarit u koordinua me Departamentin e Tregtisë, i cili shtoi 57 kompani në listën e shkelësve të kontrollit të eksporteve.
Përveç kësaj, Departamenti amerikan i Shtetit vendosi kufizime për viza për 910 persona, duke përfshirë anëtarë të ushtrisë ruse, zyrtarë ushtarakë bjellorusë dhe përfaqësues rusë që veprojnë në rajone ukrainase të kontrolluara nga Rusia.
SHIKONI EDHE: Biden: SHBA nuk do t’i njohë kurrë pretendimet e Rusisë në UkrainëSanksione u vendosën edhe ndaj anëtarëve të familjes së kreut të Moskës dhe kufizime për viza ndaj shtetasit rus, Ochur-Suge Mongush, i cili akuzohet nga SHBA-ja për torturimin e një të burgosuri lufte ukrainas.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja e kundërshton “pa mëdyshje përpjekjen mashtruese të Rusisë për të ndryshuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës".
Ai tha se SHBA-ja bashkë me liderët tjerë të G7-s po japin paralajmërim të qartë se vendet do të japin llogari “për çdo individ, entitet ose vend që ofron mbështetje politike ose ekonomike në përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të ndryshuar statusin e territorit ukrainas”.
Sanksionet shtesë të shpallura më 30 shtator, pasojnë një varg sanksionesh të mëhershme të SHBA-së dhe Perëndimit, që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, më 24 shkurt.