Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha më 20 shtator se rastet dhe vdekjet me koronavirus po bien, por paralajmëroi se “pandemia ende po vazhdon”, duke iu bërë thirrje shteteve që të përshpejtojnë programet e imunizimit para stinës së dimrit.
Të dhënat e mbledhura gjatë javëve të fundit “kanë treguar një rënie të numrit të përgjithshëm të rasteve dhe vdekjeve në Evropë të shkaktuara nga sëmundja COVID-19 “, tha kreu për strategji të vaksinave i kësaj agjencie të Bashkimit Evropian, Marco Cavaleri.
“Megjithatë, teksa po afrohet vjeshta, ne duhet të përgatitemi për një valë të re të infektimeve në linjë me tredin e shfaqur nga ky virus në dy vjetët e fundit”, tha Cavaleri gjatë një konference për media.
SHIKONI EDHE: Kush e përcakton fundin e pandemisë?Këto deklarata nga EMA-s vijnë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë një interviste për CBS tha të dielën se pandemia ka përfunduar në SHBA.
“Pandemia ka përfunduar. Ne ende kemi problem me COVID-in. Ne ende duhet të bëjmë shumë punë për këtë gjë... por, pandemia ka përfunduar”, tha Biden.
SHIKONI EDHE: Biden: Pandemia e COVID-19 ka përfunduar në SHBAMegjithatë, EMA vlerëson se pandemia ende po vazhdon në kontinentin evropian.
“Është e qartë për mua dhe Cavaleri e bëri shumë të qartë se ne në Evropë ende konsiderojmë se pandemia po vazhdon”, tha shefi mjekësor i EMA-s, Steffen Thirstrup.
“Është e rëndësishme që shtetet anëtare të bllokut të vazhdojnë me dhënien e vaksinave” kundër koronavirusit, tha ai.
Javën e kaluar, EMA miratoi vaksinën e parë – një version të modifikuar të vaksinës së Pfizer/BioNTech – që shënjestron llojet shumë infektuese BA.4 dhe BA.5 të variantit Omicron të koronavirusit.
Në dy vjet e gjysmë – që kur u shfaqën rastet e para me COVID-19 në Kinë – sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në botë janë regjistruar mbi 612 milionë raste dhe mbi 6.5 milionë kanë vdekur.