Grafiti me porosinë “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu” në Mitrovicën e Veriut

Grafiti në rrugët e Mitrovicës së Veriut, me porosinë “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Ne po presim!". 18 gusht 2022.

Në Mitrovicën e Veriut, sot në mëngjes, në ditën kur në Bruksel zhvillohet dialogu i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u shfaq grafiti me porosinë “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Ne po presim!".

Grafiti është nënshkruar nga "Brigada e Veriut", me një logo në të cilën mund të shihet edhe një kryq me katër 'S', që është simboli kombëtar serb, i cili gjendet edhe në flamurin e Serbisë.

Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut nuk kishte asnjë informacion për grafitin, apo se kush qëndron prapa tij.

Grafiti në rrugët e Mitrovicës së Veriut, me porosinë “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Ne po presim!". 18 gusht 2022.

Në Bruksel është duke u zhvilluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Paraprakisht, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, zhvilloi takime të ndara me dy liderët.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

SHIKONI EDHE: Borrell: S'ka marrëveshje, negociatat do të vazhdojnë

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që Kurti dhe Vuçiqi takohen në Bruksel.