Bllokada në gjithë Maqedoninë e V. kundër propozimit francez

Një nga protestat para ndërtesës së Qeverisë në Shkup.

Opozita maqedonase të premten nga ora 13:00 deri në orën 14:00 ka bllokuar rrugët magjistrale të Maqedonisë së Veriut Shtip-Veleshtë, hyrje-daljet në Shkup në shenjë proteste kundër propozimit francez. Protestuesit bllokuan edhe ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku kanë qëndruar dhe liderët e dy partive opozitare, VMRO DPMNE dhe E Majta, Hristian Mickovski dhe Dimitar Apasiev.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se bllokimi i autostradave dhe rrugëve magjistrale ndalohet me ligj.

Mijëra qytetarë me ftesë të opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE dhe partisë E Majta, gjatë gjithë javës kanë protestuar kundër propozimit francez.

SHIKONI EDHE: Protesta të qeta në Shkup kundër “propozimit francez”

Me këtë propozim synohet të tejkalohen dallimet mes Sofjes dhe Shkupit zyrtar për çështjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas, si dhe të bëhet edhe zhbllokimi i procesit për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, të cilët kishin bllokuar hyrje-daljet para Qeverisë, thonë se përmes bllokadës dëshirojnë t’i përçojnë një porosi të qartë pushtetit, që të mos e fshehë protokollin. Ata thonë se protokolli duhet të bëhet publik, pasi, siç shprehen ata, nuk mund të lejojnë bullgarizimin e shtetit.

“Qeveria e fsheh protokollin. Protokolli duhet të bëhet publik që të dimë se çka sakrifikojmë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe a ia vlen?”, thotë Pero Sojanovski.

SHIKONI EDHE: Macron mesazh Shkupit: Propozimi nuk është i përsosur, por ju fut në BE

“Këtu jemi për t’i thënë një ‘JO’ bullgarizimit të Maqedonisë, pra jemi kundër bullgarizimit të identitetit dhe gjuhës maqedonase”, thotë Zhivanka Moris.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka thënë se të hënën, gjatë koordinimit me partitë politike, do të bëhet e qartë se kur do të mbahet seanca plenare ku do të diskutohet rreth përmbajtjes së propozimit dhe kornizës negociuese për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, të propozuar nga Presidenca e Francës.

SHIKONI EDHE:

Shtatë pikat e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes Michel: Propozimi francez e respekton diskutimin për gjuhën maqedonase

VMRO DPMNE-ja kërkon që propozimi francez të kthehet në Qeveri pasi nuk është bërë publik protokolli.

Opozita maqedonase e ka akuzuar pushtetin për mungesë transparence rreth tekstit të protokollit dypalësh, mbi të cilin punuan Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Bullgarisë.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja i bën thirrje Shkupit të miratojë propozimin francez

VMRO DPMNE-ja kërkon që protokolli, në bazë të të cilit definohet zbatimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, t’u jepet deputetëve.

Nikolla Micevski, koordinator i Grupit Parlamentar të VMRO DPMNE-së, ka thënë se deri te deputetët nga Qeveria ka mbërritur vetëm një tekst më pak se një faqe që bazohet në informatë për propozim-kornizën negociuese.

“Ky është i gjithë materiali, të cilin Qeveria e dërgoi për të marrë vendim në bazë të të cilit deputetët duhet të votojnë për të ardhmen e vendit. Fshehja e dokumenteve e rrit edhe më shumë shqetësimin tonë se kjo pako e ofruar është e dëmshme për interesat e Maqedonisë”, ka thënë Micevski.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë u ka bërë thirrje deputetëve të tregojnë përgjegjësi dhe të angazhohen me dialog për miratimin e konkluzioneve rreth propozimit francez.

Për të gjitha partitë shqiptare propozimi francez është i pranueshëm. Ndërsa, partitë më të vogla maqedonase që janë pjesë e koalicionit qeverisës kanë kërkuar që të arrihet një konsensus rreth konkluzioneve rreth propozimit francez. Për miratimin e tyre nevojiten votat e shumicës së thjeshtë.