Nëse Kosova arrin që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç shpalli luftë, tha të enjten ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke komentuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.
Vulin tha se vota e anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) për kërkesën e Kosovës do të tregojë se çfarë mendojnë ata në realitet për Serbinë.
“Neve nuk na duhet që të presim edhe njëzetë vjet të tjera për të kuptuar nëse Bashkimi Evropian e do Serbinë në kuadër të saj, do të mjaftojë të votojnë ose të mos votojnë kundër pranimit të territorit [Kosovës] në një organizatë që është e përbërë nga shtete”, tha Vulin në një deklaratë.
SHIKONI EDHE: Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e EvropësMë 12 maj, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka konfirmuar Sharr Jakupi, shefi i kabinetit të ministres së Jashtëm të Kosovës, Donika Gërvalla.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka caktuar një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten, më 13 maj.
Pas kërkesës së Kosovës, Vuçiq tha se me këtë veprim, Kosova “e shkeli dhe e shkeli brutalisht” marrëveshjen e Uashingtonit.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Vulin, tha se vetëm kërkesa e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është shkelje e Marrëveshjes së Uashingtonit.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë në prani të ish-presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump. Përmes kësaj marrëveshjeje Kosovës i ndalohej të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit si dhe Serbisë i ndalohej që të vazhdonte fushatën e saj lotuese kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.
SHIKONI EDHE: BE-ja nuk e komenton kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KEDepartamenti i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë moratoriumin për çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.
“Prishtina ose do të dënohet dhe ndalohet, ose do të tregohet se çdo gënjeshtër është e lejuar kundër Serbisë dhe se nuk ka as të drejta e as drejtësi për serbët”, tha ministri serb, Vulin.
Ai theksoi se “deri tani është kuptuar se nënshkrimi i Bashkimit Evropian vlen sa Marrëveshja e Brukselit, por tani është rasti të shohim se sa vlen fjala e Shteteve të Bashkuara”.
Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës fillimisht shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.
Një shumicë prej dy të tretash kërkohet që një vend të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Çdo shtet anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit të së drejtës dhe gëzimin e barabartë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE: Çfarë është Këshilli i Evropës?Përveçse se nuk është anëtare e BE-së, Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera.
Serbia gjatë gjithë kohës ka bërë fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe bllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Aleati kryesor i Serbisë në këtë përpjekje është Rusia.
Megjithatë, Kosova ka arritur të bëhet anëtare e disa organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.