Gjigandi rus i energjisë Gazprom ka njoftuar të mërkurën se ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë, për shkak të mungesës së pagesave në rubla.
“Gazpromi ka ndërprerë plotësisht dërgesat e gazit për Bulgargaz (Bullgari) dhe PGNiG (Poloni) për shkak të mungesës së pagesave në rubla”, tha Gazprom në një deklaratë.
Gazprom paralajmëroi gjithashtu se tranziti përmes Polonisë dhe Bullgarisë do të pezullohet nëse gazi merret ilegalisht.
“Pagesat për gazin që dërgohet nga 1 prilli duhet të bëhen në rubla duke përdorur të dhënat e reja për pagesë, për të cilat palët kontraktuese janë informuar në kohën e duhur”, tha Gazprom të mërkurën, raporton Reuters.
Ministri i energjisë i Bullgarisë tha në një konferencë shtypi të mërkurën në mëngjes se ky shtet ka paguar për gazin në prill dhe se ndërprerja e gazit është shkelje e kontratës, njoftoi Reuters.
Edhe kompania shtetërore polake e energjisë PGNiG ka konfirmuar se furnizimi me gaz nga Gazpromi është ndërprerë.
SHIKONI EDHE: Gazprom paralajmëron pezullimin e dërgesave të gazit ndaj Bullgarise e PolonisëMë herët, sipas të dhënave të operatorit të transportit të gazit të Bashkimit Evropian, u njoftua se dërgesat e gazit rus në Poloni, në përputhje me marrëveshjen Yamal, u ndërprenë për pak kohë të mërkurën, por se furnizimi me gaz vazhdoi më vonë.
Polonia dhe Bullgaria thanë më herët se Rusia do të ndalonte të mërkurën furnizimin me gaz për dy anëtaret e NATO-s dhe BE-së, në mes të një hendeku në rritje midis Evropës dhe Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se njoftimi i Gazprom “se po ndalon në mënyrë të njëanshme dërgimin e gazit për konsumatorët në Evropë është një përpjekje tjetër e Rusisë për të përdorur gazin si një instrument shantazhi”.
“Kjo është e pajustifikuar dhe e papranueshme", tha ajo një deklaratë për opinionin.
"Kjo tregon edhe një herë mosbesueshmërinë e Rusisë si furnizues i gazit. Ne jemi të përgatitur për këtë skenar. Jemi në kontakt të ngushtë me të gjitha shtetet anëtare. Ne kemi punuar për të siguruar dërgesa alternative dhe nivelet më të mira të mundshme të rezervës në të gjithë BE-në”, thuhet në deklaratën e Ursula von der Leyen.
SHIKONI EDHE: BE-ja premton 'përgjigje të koordinuar' ndaj ndalimit të gazit nga RusiaAjo ka shtuar se shtetet anëtare të BE-së, kanë vendosur plane emergjente pikërisht për një skenar të tillë dhe autoritetet e BE-së kanë punuar me to në koordinim dhe solidaritet.
“Ne po hartojmë përgjigjen tonë të koordinuar të BE-së. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të punojmë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar flukse alternative. Dhe unë do të vazhdoj të punoj me liderët evropianë dhe botërorë për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji në Evropë”, ka thënë von der Leyen.
Edhe Ukraina ka akuzuar Rusinë se po i bën shantazh Evropës për energjinë, në një përpjekje për të thyer aleatët e saj, ndërkohë që lufta ka vazhduar tash e dy muaj. Kundërshtari këmbëngulës i Kremlinit, Polonia është në mesin e shteteve evropiane, të cilat kërkojnë sanksionet më të ashpra ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të fqinjit të saj.
Rrjeti i operatorëve të transportit të gazit të Bashkimit Evropian njoftoi se gazi në Poloni u ndërpre për një kohë të shkurtër, por më vonë, pasi ra në zero, u rinovua dhe u rrit.
Të mërkurën herët, nuk u fol nëse furnizimi i Bullgarisë do të çrregullohet gjithashtu.
Kontrata e furnizimit me gaz të Polonisë me gjigantin energjetik Gazprom është 10.2 miliardë metra kub (bcm) në vit dhe mbulon rreth 50% të konsumit kombëtar.
Kompania shtetërore polake e energjisë PGNiG njoftoi më parë se furnizimi nga Gazpromi, përmes Ukrainës dhe Bjellorusisë, do të ndërpritet të mërkurën në orën tetë, por Polonia tha se nuk duhet të shpenzojë rezervat dhe se depozitat e saj të gazit janë të furnizuara 76 për qind.
SHIKONI EDHE: Çfarë do të ndodhë me furnizimet e gazit në Evropë?Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Sijarto, ka deklaruar të mërkurën se Hungaria është duke marrë gazin rus normalisht, përmes Serbisë dhe Bullgarisë, pavarësisht ndërprerjes së furnizimit të gazit nga Gazpromi për njërën nga këto dy vende (Bullgarinë).
“Dua t’i siguroj të gjithë se mos dërgimi i gazit në Bullgari nuk do të thotë ndalim i dërgesave tranzit përmes Bullgarisë”, tha Peter Sijarto në faqen e tij në Facebook.
Presidenti rus Vladimir Putin u bëri thirrje vendeve “armike” që të paguajnë për importin e gazit në rubla, një kërkesë që vetëm disa blerës e përmbushën.
“Qëllimi përfundimtar i udhëheqjes ruse nuk është vetëm të pushtojë territorin e Ukrainës, por të copëtojë të gjithë qendrën dhe lindjen e Evropës dhe t’'i japë goditje globale demokracisë”, tha të martën mbrëma presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Your browser doesn’t support HTML5
Shefi i kabinetit të tij, Andriy Jermak, tha se Rusia “po fillon t’i bëj shantazh Evropës me gaz”. “Rusia po përpiqet të thyejë unitetin e aleatëve tanë”, tha Jermak.
Bullgaria, e cila mbështetet pothuajse tërësisht në importet e gazit rus, tha se ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj kontraktuale me Gazpromin dhe se një skemë e re pagese është propozuar në kundërshtim me marrëveshjen.
Ajo zhvilloi bisedimet fillestare për importimin e gazit natyror të lëngshëm përmes Turqisë dhe Greqisë fqinje.
Më herët, Gazpromi tha se Polonia duhet të paguajë për gazin në përputhje me “urdhërpagesën” e re. Ai nuk pranoi të komentojë për Bullgarinë.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe pas kësaj ekzistojnë gjithnjë e më shumë zëra që vendet evropiane të jenë sa më pak të varura nga importi i gazit rus.