Katër vdekje dhe mbi 3,600 raste të reja me COVID-19

Testimet në IKSHPK.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka raportuar katër vdekje si dhe 3,617 raste të reja të infektimit me COVID-19.

Këto raste pozitive dolën si rezultat i testimit të 13,928 mostrave. Nga kjo shifër i bie se 25.96 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen COVID-19.

Në njoftimin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 1,344 pacientë.

Aktualisht në Kosovë janë 31,021 raste aktive me koronavirus.

Gjatë këtyre 24 orëve, Ministria e Shëndetësisë njofton se janë dhënë 4,316 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Deri më tani, të vaksinuar plotësisht me dy doza të vaksinës janë 804,251 persona.

Gjatë së premtes, më 28 janar 2022, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, njoftoi se aktualisht të infektuar me COVID-19 janë 6,700 nxënës si dhe 1,489 mësimdhënës.

SHIKONI EDHE: Rreth 6,700 nxënës aktivë me COVID-19 në Kosovë

MASHTI, ka bërë thirrje që të vaksinohen fëmijët nga mosha 12 vjeçare si një formë për luftimin pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.