Kosova regjistron 304 raste të reja me COVID-19  

Spitali i Gjilanit.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se 304 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në 24 orët e fundit.

"Nga 10.042 testime, 304 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

MSH-ja nuk ka raportuar ndonjë rast të vdekjes nga kjo sëmundje në 24 orët e fundit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, tre qytetarë janë shëruar nga kjo sëmundje derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve në Kosovë nga COVID-19 është 158.134.

Në total numri i rasteve aktive është 1.552.

MSH-ja po ashtu njofton se ka vazhduar vaksinimi i qytetarëve dhe se në 24 orët e fundit janë dhënë 2.103 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Sipas MSH-së, deri më tani në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.692.762 doza të vaksinës.

Të shtunën, më 8 janar, Kosova regjistroi 264 raste pozitive. Numri i rasteve është rritur në ditët e para të janarit.

Përveç Kosovës shumë vende të botës janë duke raportuar nivele rekorde të infeksioneve me COVID-19. Në rritjen e rasteve sipas ekspertëve ka ndikuar varianti shumë i transmetueshëm, Omicron.