Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të enjten se Beogradi zyrtar nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve amerikane për vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarit serb të presidencës trepalëshe të Bosnje- Hercegovinës (BiH), Millorad Dodik dhe se Serbia nuk do t'i zbatojë ato.
Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të zgjeruar sanksionesh për akte korrupsioni, e cila përfshin Millorad Dodikun, anëtarin serb të presidencës së Bosnje-Hercegovinës dhe kreun e partisë kryesore të Republikës Sërpska, Partisë së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD).
Me të njëjtin vendim u vendosën sanksione ndaj Televizionit Alternativ nga Banjalluka për shkak të lidhjes me Dodikun.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Millorad DodikutDuke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në presidencën e Serbisë më 6 janar, Vuçiq tha se këto janë gjëra të ndërlikuara që “nuk janë për reagim urgjent dhe të shpejtë, e sidomos jo për nxitim”.
“Serbia nuk mendon se zgjidhja qëndron në sanksione dhe nuk ka dyshim se Republika e Serbisë nuk do të pajtohet për asnjë pikë të vetme, dhe nuk do t'i zbatojë sanksionet kundër anëtarëve të popullit të saj dhe përfaqësuesve të popullit të saj në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Republika Sërpska”, tha Vuçiq.
Ai tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara sjell sfida të shumta, jo vetëm për Republikën Sërpska, por edhe për Serbinë.
Vuçiq e konsideroi si të tmerrshëm vendimin për sanksione ndaj Televizionit Alternativ.
“Do të kemi shumë pyetje për administratën amerikane për disa media të tjera dhe lidhje me krimin dhe korrupsionin, të cilave duket e pamundur t'u japim një përgjigje adekuate, por këtë do ta lëmë për kohën menjëherë pas Krishtlindjeve”, tha Vuçiq.
Ai tha se është i shqetësuar për sanksionet e vendosura, por shtoi se Serbia duhet të mbajë "marrëdhënie racionale dhe të denjë" me Shtetet e Bashkuara.
Ndryshe, Departamenti i Thesarit tha se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes".
“Dodiku ka minuar institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje-Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.
SHIKONI EDHE: A do të jetë viti 2022 kur do të shpërbëhet Bosnja?Sipas njoftimit, sanksionet nënkuptojnë se të gjitha pronat, interesat në prona të individëve dhe entiteteve të përfshira në sanksione, që i kanë në SHBA ose janë në pronësi apo kontroll nga qytetarët amerikanë, bllokohen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja, zyrë kjo në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.
Po ashtu, personave dhe entiteteve të sanksionuara u ndalohen të gjitha transaksionet me personat amerikanë.
Departamenti i Thesarit ka njoftuar se në listën e personave të sanksionuar nga Departamenti amerikan i Shtetit janë futur edhe ish-kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Bosnje-Hercegovinës, Milan Tegeltija dhe kryetari i Lëvizjes për Veprim Demokratik, njëherësh deputet, Mirsad Kukiç.
Tegeltija dhe Kukiç u përfshinë në këtë listë, bazuar në një deklarate të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken për "përfshirjen e tyre në aktivitete të rëndësishme korruptive".