Maqedonia e Veriut ka regjistruar të mërkurën më 5 janar katër raste të qytetarëve të infektuar me Flurona, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Flurona është një term i krijuar për të përshkruar gjendjen e të infektuarit me COVID-19 dhe njëkohësisht me grip stinor.
Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se një rast është zbuluar në Kërçovë nga një klinikë private tek një person i moshës 26 vjeç, i cili më 31 dhjetor kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Bazuar në anketën epidemiologjike, personi në fjalë ishte i vaksinuar me dy doza të vaksinave. Pas detektimit të infektimit pacienti ndodhet në shtëpinë e tij për trajtim mjekësor në gjendje stabile shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Tre rastet e tjera janë regjistruar në Shkup. Gjendja shëndetësore e të infektuarve raportohet se është e qëndrueshme.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut, Flurona manifestohet me simptoma të koronavirusit dhe gripit stinor.
Disa vende të botës tashmë kanë raportuar rastet e para me Flurona duke ngritur kështu pikëpyetje të shumta se si dy viruset mund të ndikojnë tek personat e prekur nga COVID-19 dhe gripi stinor në të njëjtën kohë.
Të mërkurën më 5 janar, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1,375 raste të reja me koronavirus ndërsa janë detektuar edhe 33 raste të reja me variantin Omicron duke çuar në 40 numrin e të infektuarave me këtë variant.
Your browser doesn’t support HTML5
Rritja e rasteve sipas Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut, ka të bëjë me manifestimet e festave të fundvitit dhe mosrespektimin e masave mbrojtëse ndaj COVID-19.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë shtet janë regjistrua edhe 4 të vdekur, një në Shkup, një në Kavadar, një në Tetovë dhe një rast i vdekjes në Dellçevë.
Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 8,000 ndërsa i rasteve aktive me koronavirus në 6,818 persona.