Këtë javë mbahet takimi i NATO-s për Ukrainën

Një ushtar ukrainas. Foto ilustruese.

NATO ka njoftuar të martën më 4 janar, se këtë javë do të mbahet një takim virtual i ministrave të jashtëm të 30 vendeve anëtare, për të vlerësuar situatën në Ukrainë dhe bisedimet e ardhshme me Rusinë.

Takimi i jashtëzakonshëm i anëtarëve të aleancës, do të nisë një jave diplomacie intensive mbi grumbullimin ushtarak afër kufijve të Ukrainës.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin se Uashingtoni mund të vendosë sanksione të reja kundër Moskës nëse ajo ndërmerr veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.

SHIKONI EDHE: SHBA zotohet se do të veprojë nëse Rusia pushton Ukrainën

Putin u përgjigj se një veprim i tillë i SHBA-së mund të çojë në një prishje të plotë të raporteve midis këtyre vendeve.

Javën e kaluar, të dy liderët folën gati një orë në mes të tensioneve në rritje pas grumbullimit të trupave rusë afër Ukrainës.

SHIKONI EDHE: Stoltenberg i gatshëm të mbledhë Këshillin NATO-Rusi, muajin e ardhshëm

Putin dhe Biden kanë folur dy herë gjatë muajit të kaluar, përpara bisedimeve të planifikuara mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë më 9 dhe 10 janar në Gjenevë.

Këto bisedimë do të pasohet nga një takim ndërmjet Rusisë dhe NATO-s më 12 janar.