Deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës kanë fajësuar qeverinë për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova.
Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha në seancën e Kuvendit të Kosovës se kriza energjetike do të krijojë humbje qindra milionëshe për Kosovën.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë të diskriminuar sa i përket reduktimeve pasi, siç tha ai, në pjesën veriore të Mitrovicës, komunë me shumicë serbe, nuk ka as reduktime e as ndalje të rrymës.
Shala tha se ekzekutivi duhet të bëjë një zgjidhje sa më të shpejtë.
“Jemi dëshmitarë që tashmë kemi hyrë në një fazë të thellë energjetike. Pasojat do të jenë shumë të mëdha. Nuk kemi asnjë të dhënë se kur dhe si do të dalim nga kjo krizë. Si do ta përballojnë qytetarët këtë situatë në periudhën më të vështirë të dimrit. Përgjegjësi kryesor është Qeveria e Kosovës, pasi nuk i ka kryer detyrat për parandalimin e kësaj krize”, theksoi Shala.
Ai ftoi kryeministrin Albin Kurti që të shpallë gjendje emergjente energjetike.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha se Qeveria duhet të bëjë politika pro-aktive për t’i parandaluar krizat.
“Kemi parë tash e 10 muaj një qeveri që reagon në probleme dhe nuk ka një situatë ku ndërton politika pro-aktive ndaj probleme që dihen. E kemi ditur qe gjashtë muaj që do të kemi krizë me energji dhe tash ka një reagim për këtë dhe nuk ka strategji për ta parandaluar këtë krizë”, tha deputeti Tahiri.
SHIKONI EDHE: Kosova në terrQë nga e mërkura e 22 dhjetorit, qytetarët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë ditëve të fundit ka shënuar rritje për 14 për qind.
Ky konsum nuk mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në tregun botëror çmimi është shtrenjtuar dukshëm, por edhe procesi i importit është vështirësuar për shkak të mungesës së këtij produkti në shtetet tjera.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar më 23 dhjetor se vitin e kaluar çmimi ka qenë 69 euro për megavat, kurse më 21 dhjetor, ky çmim ka arritur në 420 euro për megavat.
Qeveria ka kërkuar vazhdimisht nga qytetarët që ta kursejnë rrymën.
Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, tha më 23 dhjetor se aktualisht në funksion janë tri njësi të Termocentralit “Kosova A” dhe një bllok i Termocentralit “Kosova B”. Ai shtoi se më 20 janar të vitit 2022 pritet të kthehet në funksion edhe një bllok te "Kosova B".
Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm.
Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).