Vendet e Bashkimit Evropian pritet të përsërisin në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme përkushtimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit dhe procesit të stabilizim-asocimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një draft të konkluzave të përgatitura nga Presidenca sllovene e BE-së për këtë takim, që do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel, merren parasysh edhe Raportet e Progresit, që për këto vende i ka miratuar dhe publikuar Bashkimi Evropian.
“Këshilli rikonfirmon përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit, i cili mbetet politika kyçe e Bashkimit Evropian”, thuhet në draftin e konkluzave që ka parë Radio Evropa e Lirë.
Aty nënvizohet se “ky proces është investim në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në Evropë”.
“Këshilli nënvizon se mbështetja e vlerave themelore të BE-së dhe perspektiva evropiane është një zgjedhje e vendosur strategjike, thelbësore për të gjithë partnerët që synojnë anëtarësimin në BE”, thuhet në konkluza.
SHIKONI EDHE: Ballkani Perëndimor me "rëndësi strategjike" për BE-nëNga vendet e rajonit kërkohet që t’i përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian.
Po ashtu, kërkohet që edhe politikat e tyre për ruajtjen e ambientit, të përshtaten me strategjinë e BE-së. Kjo pritet të bëhet përmes “agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor” dhe do të jetë pjesë përbërëse e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor.
Këshilli nënvizon se sundimi i ligjit do të jetë një element kyç, nga i cili do të varet dinamika e përparimit të vendeve të rajonit në procesin e integrimeve evropiane.
Përmes këtyre konkluzave, vendeve të rajonit u bëhet thirrje që të punojnë për bashkëpunim rajonal, sidomos drejt zbatimit të marrëveshjes për tregun e përbashkët rajonal, si dhe të punojnë për pajtim dhe fqinjësi të mirë.
Edhe një herë tërhiqet vërejtja se mohimi i gjenocidit, relativizmi i krimeve të luftës dhe madhërimi i kriminelëve nuk kanë vend në Evropë dhe se shkojnë kundër vlerave evropiane.
Nga Kosova kërkohet zbatim i marrëveshjeve nga dialogu
Në pjesën që i kushtohet Kosovës në këto konkluza, mirëpritet konfirmimi i Qeverisë së re të Kosovës për përkushtim ndaj rrugëtimit evropian dhe reformat e lidhura me këtë.
Këshilli mirëpret faktin se zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt dhe zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor, janë zhvilluar mirë dhe në mënyrë transparente.
“Ato ishin edhe konkurruese, me përjashtim të hapësirave me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në dokument.
Aty kërkohet që Kosova të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe të dëshmojë rezultate në luftën kundër korrupsionit, si dhe t’i zbatojë reformat në përputhje me standardet evropiane.
SHIKONI EDHE: Pafuqia e BE-së në dialogun Kosovë-SerbiSa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, nga të dyja këto vende kërkohet që të angazhohen me vullnet të mirë në këtë proces, në frymën e kompromisit, për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.
“Kjo marrëveshje duhet t'i adresojë të gjitha çështjet e hapura dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Kjo është kyçe, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të avancojnë në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e konkluzave.
“Këshilli përsërit pritjet e fuqishme që të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, të respektohen dhe zbatohen pa vonesa. Të dyja palët duhet, po ashtu, t'i shmangin veprimet që dëmtojnë stabilitetin, si dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialogun”, thuhet në këtë draft konkluzash.
Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk ka ndonjë risi. Përsëritet se “Këshilli e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës” dhe kujtohet se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin, Parlamenti Evropian e ka mbështetur, porse tash çështja ndodhet në shqyrtim në Këshill.
Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Presidenca sllovene e Këshillit të Bashkimit Evropian insiston që deri në fund të këtij viti, të hapen negociatat e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndonëse një mundësi e tillë duket pak reale.
SHIKONI EDHE: Holanda përkrah Shqipërinë në hapjen e negociatave me BE-nëNë draftin e konkluzave për takimin e javës së ardhshme thuhet se “Këshilli i gëzohet mundësisë së zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë sa më shpejt që të jetë e mundur këtë vit, pasi të aprovohet korniza negociuese nga ana e Këshillit”.
Konferencat ndërqeveritare janë takimet e BE-së me delegacionet e vendeve kandidate, me të cilat zhvillohen negociatat.
Por, pavarësisht fjalisë që është përfshirë në draftin e konkluzave për nisjen e negociatave deri në fund të vitit, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë nëse nuk miratohet korniza negociuese e BE-së.
Në rastin e Maqedonisë së Veriut, miratimin e kësaj kornize tash e më shumë se një vit e mban të bllokuar Bullgaria, për shkak të disa mospajtimeve në raportet dypalëshe.
SHIKONI EDHE: Shkupi dhe Sofja në kërkim të një shansi të ri për marrëveshjeVitin e kaluar, Gjermania, si udhëheqëse e presidencës së BE-së, ka bërë përpjekje që ta zhbllokojë këtë proces, por pa sukses.
Edhe pse procesi i zgjerimit është i bazuar mbi parimet e meritave individuale, pra secili shtet vlerësohet individualisht, Shqipëria ka mbetur peng i bllokimit të Maqedonisë së Veriut. Në rastin e Shqipërisë nuk ka asnjë vend anëtar të BE-së që e kundërshton nisjen e negociatave.
Por, disa diplomatë kanë frikë se nëse nisin negociatat me Shqipërinë e jo edhe me Maqedoninë e Veriut, atëherë bllokimi i kësaj të fundit mund të zgjasë edhe më shumë.
Takimi i Këshillit të çështjeve të përgjithshme në nivel ministrash është i fundit për këtë vit dhe i fundit nën presidencën sllovene të BE-së.
Sllovenia, gjatë kryesimit të saj 6-mujor, e ka vënë procesin e zgjerimit në mesin e prioriteteve dhe ka bërë përpjekje që në këtë periudhë të nisin negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por, deri më tash, ato nuk kanë pasur sukses.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia.
Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.