Çekia shënon numrin më të lartë të rasteve të reja me COVID-19

Praga gjatë izolimit të përgjithshëm në mars të vitit 2020.

Republika e Çekisë raportoi të shtunën (20 nëntor) se gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 22,936 raste të reja me koronavirus - shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Më herët gjatë javës, ky vend anëtar i Bashkimit Evropian, fuqizoi kufizimet për personat që nuk kanë marrë vaksinën kundër COVID-19 për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të lehtësuar situatën në spitale. Mbi 22.500 raste aktive janë të konfirmuar aktualisht ndërsa në spitale po mjekohen mbi 4.800 persona.

SHIKONI EDHE: BE-ja, drejt vaksinimit të obligueshëm

Qeveria çeke ka miratuar masat për të lejuar vetëm ata që janë vaksinuar ose janë shëruar nga COVID-19 në gjashtë muajt e fundit të hyjnë në restorante, të marrin pjesë në ngjarje të caktuara dhe të përdorin disa shërbime të tjera.

Rreth 58 për qind e qytetarëve çekë janë plotësisht të vaksinuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 52 viktima ndërsa që nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit 2020, ky vend ka shënuar gjithsej 32.005 të vdekur nga pasojat e sëmundjes COVID-19.