Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka mbijetuar nismës së opozitës për mocionin e mosbesimit. Kjo pasoi mungesën e 61 votave të deputetëve të opozitës për të siguruar së pari kuorimin për hapjen e debatit, dhe pastaj edhe votimin e mocionit të mosbesimit.
Derisa e gjithë opozita ishte e bindur në sigurimin e votave, deputeti Kastriot Rexhepi nga radhët e subjektit politik Lëvizja BESA, në rrethana të dyshimta, sipas bashkëpartiakëve dhe deputetëve të tjerë opozitarë që kishin iniciuar mosbesimin e qeverisë, nuk u paraqit në seancë, por zgjodhi të publikonte një status dhe pastaj edhe një video në rrjetin social Facebook, ku theksonte se kishte zgjedhur rrugëtimin euro-atlantik, dhe jo një iniciativë të tillë opozitare, që e konsideronte si antishqiptare dhe antiperëndimore.
SHIKONI EDHE: Mickovski: Nëse Zaev nuk deponon dorëheqjen, do ta rrëzojmëPozita dhe opozita me numra të njëjtë në kuvend
Situata në Kuvend shfaqi shifra të reja rreth përbërjes së institucionit ligjvënës, duke e lënë kuvendin në numrat 60 me 60, ku as opozita dhe as mazhoranca e mbijetuar nuk mund të ndërmarrin hapa të mëtejmë, që nënkupton bllokimin e punës së legjislativit.
Në këto rrethana, kuvendi nuk do të mund të mbajë asnjë seancë të vetme, nëse partitë qeverisëse nuk arrijnë të sigurojnë të paktën edhe një votë të deputetit për të siguruara kuorumin për hapjen e seancave të kuvendit.
Në rast se nuk arrihet sigurimi i shumicës, vendi do të përballet me krizë edhe më të thellë jo vetëm politike, por edhe ekonomike pasi nuk do të mund të kalojnë shumë ligje të rëndësishme, si miratimi i buxhetit, por edhe shumë ligje tjera që janë pjesë e programit të punës së qeverisë, si dhe ndihma tjera që parashihen për përballje me krizën energjetike dhe pandeminë me koronavirusin.
Dalja nga kriza shihet në zgjedhjet e parakohshme
Pas dështimit të mocionit të mosbesimit, partitë e opozitës, bazuar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, në 90 ditët e ardhshme nuk kanë të drejtë të paraqesin nismë të re për mocion mosbesimi. Qeveria mund të bie nëse kryeministri kërkon mocion të votëbesimit, në rast se konstaton se kuvendi nuk po arrin të miratojë ligjet.
SHIKONI EDHE: Opozita kërkon zgjedhje, Zaevi heshtZgjedhjet e parakohshme si zgjidhje për dalje nga kriza i sheh VMRO DPMNE-ja e opozitës, ndërsa kërkesën e paraqiti të enjten në mbrëmje pasi u largua nga kuvendi pas dështimit të mocionit. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, tha se Maqedonia e Veriut të enjten ka shënuar një nga ditët më të errëta të demokracisë, pasi pakica jo vetëm që shkeli vullnetin e shumicës, por edhe rrëmbeu një deputet për të pamundësuar mocionin e mosbesimit.
Ai tha se Maqedonia e Veriut ka hyrë në krizë të thellë politike dhe të sigurisë, andaj, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për kthimin e stabilitetit në vend. Partitë qeverisëse, sipas tij, kanë humbur pushteti meqë siç tha, ato kanë 59 deputetë, 60 opozita dhe një deputet mbetet i rrëmbyer.
“Zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e shpejta janë zgjidhja për dalje nga kriza politike, e sigurisë, ekonomike dhe energjetike. Pushteti ka humbur shumicën, ka vetëm 59 deputetë, një e kemi të rrëmbyer, e të cilin besojmë se do ta lirojnë tani pas largimit tonë nga kuvendi apo do të presin që këtë ta bëjnë pas mesnate kur skadon afati i mocionit”, ka deklaruar Nikollovski.
SHIKONI EDHE: Partitë e koalicionit nuk e pranojnë dorëheqjen e ZaevitAleanca për Shqiptarët në reagimin pas mbylljes së seancës tha gjithashtu se zgjedhjet janë zgjidhje për dalje nga gjendja e krijuar, por se ato, sipas opozitës shqiptare, nuk mund t’i organizojë qeveria aktuale.
“Regjimi hibrid LSDM-BDI përfundimisht u delegjitimua, ndërsa tani nuk ka as legalitet me vetëm 59 vota dhe një deputet që ndodhet ende në rrethana misterioze. U konfirmua se qytetarët dhe opozita kishin të drejtë në këmbënguljen për rrëzimin e këtij regjimi që thirret në BE me mekanizma antievropian. Ky regjim dëshmoi se në çfarë mënyre qëndron në pushtet; me presione, kërcënime e shantazhe! Por, ky regjim nuk do të mbijetojë pavarësisht çdo akrobacioni që po bën”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Partitë në pushtet i shmangen debatit për zgjedhje
Por, ndryshe nga partitë opozitare, ato në pushtet dështimin e mocionit të mosbesimit e vlerësuan si triumf të forcave pro NATO-s dhe BE-së kundrejt atyre që duan ta largojnë vendin nga vlerat perëndimore. Partitë në pushtet, në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim nuk flet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Sonte qytetarët mund të flenë të qetë, sepse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ngadhënjyen forcat progresive euro-atlantike, miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Ngadhënjeu vullneti absolut i qytetarëve të këtij vendi për një Maqedoni të reformuar, të integruar, në miqësi me fqinjët, në miqësi midis popujve që jetojnë këtu brenda vendit dhe me perspektivë të pastër, të qartë dhe të padyshimtë euro-atlantike”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Artan Grubi.
Kryeministri Zoran Zaev pas disfatës së thellë në zgjedhjet lokale më 17 dhe rrethit të dytë më 31 tetor, paraqiti dorëheqje, të cilën e tërhoqi më 9 nëntor me arsyetimin “për të mos lejuar destabilizimin e vendit, për të pritur datën e bisedimeve me BE-në, por edhe për të konsoliduar shumicës parlamentare”.
Për dallim prej tyre, partia e “E Majta”, që vazhdon të shënojë rritje të popullaritetit, duke trefishuar votat brenda një viti nga 20 mijë në mbi 56 mijë vota, thotë se vendin e presin situata dramatike, me mundësi të protestave e bllokimit të institucioneve.
Apasiev: Situata po shkon drejt radikalizimit
Kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, tha se Qeveria nuk po tregohet e gatshme që në mënyra paqësore të dorëzojë pushtetin, andaj edhe paralajmëron masa tjera.
“Gjendja është alarmante. Është paralizuar demokracia parlamentare. Është një precedent që nuk ka ndodhur askund tjetër. Gjendja është e rrezikshme dhe qytetarët këtë duhet ta marrim me seriozitet. Mendoj se ky pushtet nuk bie me dëshirë, prandaj edhe nevojitet radikalizim i gjendjes politike, të ketë protesta, bllokim të Kuvendit, e masa tjera”, ka deklaruar Apasiev.
Kjo parti nga subjektet shqiptare dhe LSDM-ja shihet si ekstremiste, antishqiptare dhe antiperëndimore, që mund të rrënojë imazhin e vendit andaj edhe partitë e opozitës shqiptare nuk kishin pranuar që nënshkrimet e tyre të mocionit të mosbesimit të qeverisë t’i vendosin në kërkesën e njëjtë që ishte dorëzuar në Kuvend.
Në rrethanat e krijuara, nuk përjashtohet mundësia që të ketë takim të liderëve për të diskutuar hapat e mëtejmë pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, ku tani janë dy grupime politike me numër të njëjtë të deputetëve.
Opozita maqedonase ka bërë të qartë se do të pranojë çfarëdo bisedimesh që do të ishin në funksion të shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.