Nuk votohet për mosbesimin e Qeverisë maqedonase

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do ta vazhdojë punën e saj, pasi opozita nuk i ka siguruar votat e nevojshme për mocionin e mosbesimit.

Pak para mesnatës së ditës së enjte, kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, ka mbyllur seancën duke konstatuar se në mungesë të deputetëve të opozitës që paraqitën nismën, si dhe mungesës së kuorimit të nevojshëm, Kuvendi nuk e ka votuar nismën e saj.

Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare janë larguar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rrethe orës 22.00 të ditës së enjte(11 nëntor), pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota për të votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev.

Gjatë ditës kishte pasur disa tentime për nisjen e seancës për ajo është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë dhe për t'u mbajtur seanca nevojitet prania në sallë e 61 deputetëve, aq sa nevojiten edhe për mocionin e mosbesimit të qeverisë.

VMRO DPMNE-ja dhe partitë shqiptare në opozitë e kanë akuzuar pushtetin për siç kanë thënë “rrëmbimin e Kastriot Rexhepit, deputetit të Lëvizjes Besa”, gjë që i ka pamundësuar opozitës të ketë 61 vota të deputetëve për mbajtjen e seancës, e cila ndërkohë është bojkotuar nga partitë në pushtet, për të pamundësuar sigurimin e votave të nevojshme.

Nikollovski: Ditë e errët për demokracinë

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Nikollovski, tha se Maqedonia e Veriut të enjten ka shënuar një nga ditët më të errëta të demokracisë, pasi pakica jo vetëm që shkeli vullnetin e shumicës, por edhe rrëmbeu një deputet për të pamundësuar mocionin e mosbesimit.

SHIKONI EDHE: Çka çoi në humbjen e Zaevit në zgjedhje lokale?

“Sot në Maqedoni është nëpërkëmbur demokracia. Sot pamë se si regjimi është transformuar në regjimin më kriminal të parë ndonjëherë në Evropë dhe për këtë të gjithë do të mbajnë përgjegjësi, më shpejt sesa që ata mendojnë. Një deputet u rrëmbye, telefonat celularë u konfiskuan nga ligjvënësit dhe të njëjtit u mbyllën në parlament që të mos kenë asnjë kontakt me jashtë dhe në këtë mënyrë ky pushtet në mënyrën më brutale shkeli mbi demokracinë”, tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

VMRO-ja kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare

Pas ngjarjeve të ditës së enjte, Nikollovski deklaroi se Maqedonia e Veriut ka hyrë në krizë të thellë politike dhe të sigurisë, andaj sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për kthimin e stabilitetit në vend. Partitë qeverisëse, siç u shpreh ai, e kanë humbur pushteti meqë spas tij, ato kanë 59 deputetë, 60 opozita dhe një deputet mbetet i rrëmbyer.

“Zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e shpejta janë zgjidhja për dalje nga kriza politike, e sigurisë, ekonomike dhe energjetike. Pushteti e ka humbur shumicën, ka vetëm se 59 deputetë, një e kemi të rrëmbyer, të cilin besojmë se do ta lirojnë tani pas largimit tonë nga Kuvendi apo do të presin që këtë ta bëjnë pas mesnate kur skadon afati i mocionit”, ka deklaruar Nikollovski.

Ndërkohë, deputeti i partisë e “E Majta”, Dimitar Apasiev, tha se vendi ndodhet para një destabilizimi, pasi, siç tha Qeveria, nuk po tregohet e gatshme që në mënyrë paqësore të dorëzojë pushtetin”

Apasiev: Situata po shkon drejt radikalizimit

“Gjendja është alarmante. Është paralizuar demokracia parlamentare. Është një precedent që nuk ka ndodhur askund tjetër. Kemi një deputet të rrëmbyer. Ju të gjithë e keni parë videon, në të cilën deputeti dukej sikur të të zënit rob nga organizatat terroriste para ekzekutimit. Gjendja është e rrezikshme dhe qytetarët këtë duhet ta shohin me seriozitet. Mendoj se ky pushtet nuk bie me dëshirë, prandaj edhe nevojitet radikalizim i gjendjes politike, të ketë protesta, bllokim të Kuvendit, e masa tjera”, ka deklaruar Apasiev.

SHIKONI EDHE: Zaev shtyn dorëheqjen nga posti i kryeministrit

Por, Jovan Mitreski nga Lidhja Social Demokrate hodhi poshtë pretendimet e opozitës, e cila sipas tij, dështuar në sigurimin e numrave për rrëzimin e qeverisë

Mitreski: Opozita nuk i ka votat për mosbesimin e qeverisë

“Gjithçka që po ndodh në Kuvend është dëshmi për disfatën e Mickovskit në Kuvend. Ai gënjeu se ka shumicën, pavarësisht kësaj shumica aktuale parlamentare do të rritet. Për këtë dështim ai nuk duhet t'ua hedhë fajin tjerëve. Ai vetëm për të ardhur në pushtet u bashkua me ata që janë anti- NATO, anti-BE. Ai nuk ka koncept për shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve. Populli është gënjyer. Ai nuk ka shumicë, andaj edhe duhet të dalë dhe të kërkojë falje para qytetarëve”, ka deklaruar Mitreski duke mohuar informacionet se ka pasur kërcënime apo presione ndaj deputetit të Lëvizjes Besa për të mos u paraqitur në seancën e Kuvendit.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, i cili ka bllokuar punimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, është paraqitur me një video -regjistrim në rrjetin social Facebook duke theksuar se ai nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit pasi nuk dëshironte të jetë anën e atyre, që, sipas tij, janë kundër NATO-s dhe BE-së.

Rexhepi: Jam nën anën e shqiptarëve, BE-së dhe NATO-s

“Siguria dhe stabiliteti i vendit, paqja dhe mirëqenia e popullit tonë, definitivisht duhet të jetë gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne. Kryetari Billall Kasami dhe të tjerët nuk kanë nevojë të shqetësohen për mua. Jam në vend të sigurt, jam në anën e duhur, jam me shqiptarët dhe gjithë qytetarët e vendit, të cilët dëshirojnë paqe, liri, demokraci. Jam me BE-në, NATO-n dhe jo me qarqet antishqiptare. Këtë e them me ndërgjegje të plotë dhe sapo të kalojnë disa rreziqe nga kërcënimet e disa individëve, do të paraqitem për ta sqaruar të gjithë", ka shkruar Rexhepi.

Paraprakisht, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se këto që po ndodhin në Kuvend, me kërcënime e metoda tjera antidemokratike, janë sipas tij metoda të papranueshme të shekujve të kaluar.

Mickovski ngriti dyshime nëse edhe shumica aktuale është formuar përmes kërcënimeve e presioneve të ndryshme ndaj deputetëve.

Mickoski: Pushteti po përdorë metoda të dhunës

“Ato që po ndodhin në Parlament janë metoda të shekullit XVI dhe XVII, që më shkaktojnë një ndjenjë të përzier. Nuk e dimë nëse është rrëmbyer apo është larguar vullnetarisht. Ai duhet të kishte ardhur në Parlament dhe të kishte votuar kundër. Do të kishte shpëtuar një pjesë të madhe të turpit. Ajo që është e qartë është se qeveria është e mbështjellë me baltë politike. Ky është një turp i madh për demokracinë. Nëse kështu praktikohet politika te ne, do të mendoj seriozisht nëse do të merrem me politikë. Qeveria ka metoda të tjera dhe nuk më çudit që bëjnë një mazhorancë më të madhe se kjo. U kërkoj falje qytetarëve që duhet ta shikojnë këtë cirk”, tha Mickoski.

Kasami: Dyshoj se deputeti Rexhepi është ndaluar

Më herët, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një prononcim për mediat ka hedhur dyshime për një rrëmbim të deputetit Kastriot Rexhepi.

“Nuk kam asnjë komunikim me deputetin. Kam dyshime të bazuara se deputeti mund të jetë i ndaluar përkundër vullnetit të tij. Ai pa vullnet e ka këtë qëndrim. Mbetem pas këtij qëndrimi gjithnjë derisa ai vetë nuk e pohon gojarisht. Nuk kemi informata se ku gjendet. Herën e fundit kemi komunikuar gjatë ditës së djeshme(e mërkurë), dhe nuk kam pasur ndonjë sinjal që ai do të vepronte ndryshe”, ka thënë Kasami duke shtuar se në rast se do të konfirmohet ky qëndrim i Rexhepit, do të mblidhen organet e partisë dhe do të marrin vendim lidhur me përjashtimin ose jo të Rexhepit nga partia.

SHIKONI EDHE: Mickovski: Nëse Zaev nuk deponon dorëheqjen, do ta rrëzojmë

Para nisjes së seancës të gjitha partitë opozitare besonin se i kishin numrat e nevojshëm për mocionin e mosbesimit.

“Të gjitha subjektet politike janë deklaruar për pozicionet e tyre dhe ne presim që konform nënshkrimeve dhe deklaratave që kjo qeveri të bie”, deklaroi Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.

Partitë në pushtet besonin në dështimin e mocionit

Por, partitë e shumicës pohuan të kundërtën se shumica është në anën e tyre dhe se e gjitha procedura do të jetë demokratike.

Partitë e koalicionit qeverisës, të mërkurën në mbrëmje kishin mbajtur një mbledhje konsultuese, detaje nga e cila nuk janë dhënë, por mediat lokale njoftojnë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në këtë takim është shprehur optimist se “Qeveria nuk do të bie të enjten në votimin për mosbesimin në kuvend, pasi që shumica është me forcat progresive në Kuvend”.

Çfarë parasheh Kushtetuta për mocionin?

Sipas Kushtetutës, votëbesimi ndaj Qeverisë duhet të përfundojë në të njëjtën ditë. Nëse opozita siguron 61 vota kundër kabinetit të kryeministrit (Zaevit), atëherë qeveria është e detyruar të japë dorëheqje brenda 24 orëve, pas çka fillon afati dhjetëditor për presidentin e shtetit (në këtë rast Stevo Pendarovski), që t'ua japë mandatin për formimin e qeverisë së re partive që do të konfirmojë se kanë të paktën 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, nëse opozita nuk arrin të rrëzojë Qeverinë, atëherë në 90 ditët e ardhshme nuk do të mund të paraqesë mocion të ri mosbesimi ndaj Qeverisë, nëse së paku 61 deputetë nuk paraqesin iniciativë.

Qeverisja e Zoran Zaevit

Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016.

Gjatë këtij mandati, Zaevi mori përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues në "Maqedoni e Veriut", e cila deri para Marrëveshjes së Prespës së arritur më 17 qershor 2018, quhej “Republika e Maqedonisë”.

Pavarësisht kritikave të shumta në opinion lidhur me këtë marrëveshje, si dhe negociatave më pas me Bullgarinë për Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që po ashtu konsiderohet si e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, Zoran Zaev, fitoi edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, që u mbajtën në qershor të vitit 2020.