NATO për REL: Aksioni në veri, veprim për vendosjen e ligjit

Flamuri i NATO-s.

Aleanca veri-atlantike, NATO, e sheh operacionin e Policisë së Kosovës më 13 tetor kundër kontrabandimit të mallrave si, “veprim për vendosjen e ligjit” dhe thotë se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me autoritetet relevante.

Një zyrtar i NATO- ka thënë se “Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës” dhe se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

Në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s përsëritet se misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë “mbetet tërërisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 nga viti 1999 dhe vazhdon të sigurojë ambient të qetë, të sigurt dhe lëvizje të lirë për të githa komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Në këtë reagim të këtij zyrtari të NATO-s thuhet edhe se “KFOR-i vazhdon të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes së fundit për shtensionimin e tensioneve që kanë arritur Beogradi dhe Prishtina në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, duke iu referuar pajtueshmërisë së arritur më 30 shtator.

Aksioni policor më 13 tetor është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Policia e Kosovës ka thënë se në këtë aksion janë sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.

Policia e Kosovës ka thënë se janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona. Ndërkaq janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra.

SHIKONI EDHE: Aksioni në veri: Të lënduar, të arrestuar dhe barrikada

Drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti, ka thënë në një konferencë për media se 10 zyrtarë policorë janë lënduar gjatë aksionit.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

"Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë. Prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë", ka thënë Sveçla.

SHIKONI EDHE: Sveçla: Aksioni policor nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti

Lexoni edhe këtë artikull: Ekipi i REL-it sulmohet në veri