Ministria e Mbrojtjes në Kosovë përmes një deklarate i ka përgënjeshtruar informacionet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke përgatitur trupa për ndërhyrje në veri të Kosovës.
Ministria i quajti të pavërteta dhe qëllimkëqija informacionet, duke thënë se këto “dezinformata janë shpërndarë në mesin e qytetarëve të pjesës veriore dhe janë publikuar nga mediumet”.
“Dezinformatat se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në Veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes në të cilin gjithashtu theksohet se FSK-ja realizon detyrat dhe kompetencat në përputhje me dispozitat e Kushtetutës si dhe në koordinim të plotë me autoritetet tjera shtetërore dhe KFOR-in.
Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e pesë ditë, pasi serbët lokalë kundërshtojnë vendimin e autoriteteve të Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Dita e pestë: Bllokadat e palëvizura në veriSipas vendimit të Qeverisë së Kosovës veturat me targa serbe obligohen të vendosin targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vjet.
Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Të enjten në mbrëmje ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq vizitoi forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, që gjendet në kufi me Kosovën, duke thënë se trupat serbe atje ishin në gatishmëri të lartë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës.
Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.