Gjashtëdhjetë e nëntë pacientë, të infektuar me koronavirus, janë në gjendje të rëndë në spitalet e Kosovës, bëri të ditur Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Një ditë më parë, numri i pacientëve nën kujdes intensiv ishte 59.
Në raportin e SHSKUK-së thuhet se në total, 1,116 pacientë me koronavirus janë të shtrirë në spitalet e Kosovës.
Prej tyre, 936 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.
Numrin më të madh të pacientëve me koronavirus, përkatësisht 430, e ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Nga spitalet rajonale prin ai i Prizrenit me 165 pacientë.
Kosova është duke kaluar nëpër një valë të rëndë të pandemisë së koronavirusit.
Aktualisht janë mbi 27,000 raste aktive.
Të mërkurën janë konfirmuar edhe 22 viktima.
Të vaksinuar plotësisht llogaritet të jenë pak mbi 284,000 qytetarë.
SHIKONI EDHE: Kosova heq nga përdorimi mbi 133,000 vaksina AstraZeneca