Njëqindeshtatë persona, kryesisht shqiptarë janë arrestuar gjatë një dite aksioni më 13 korrik që përfshiu autoritetet e zbatimit të ligjit në Spanjë, Gjermani dhe Shqipëri, duke çmontuar një rrjet të organizuar kriminal të trafikimit të drogës.
Grupi kriminal besohet se po menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë ku ata kultivonin dhe përpunonin marihuanën, para se të transferohej në vendet e tjera evropiane për shpërndarje të mëtejshme.
Në ditën e aksionit, rreth 400 policë në terren kryen bastisje të njëkohshme në 42 vende të ndryshme në Spanjë.
Disa kërkime shtesë u kryen disa ditë më vonë. Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën në Spanjë, ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë Ardi Veliu, i cili tha se Policia e Shqipërisë ka treguar se është “një partner i besueshëm për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit”.
“Pas një viti pune të gjatë hetimor, u bë i mundur finalizimi i këtij operacioni të madh ndërkombëtar, ku policia shqiptare ka qenë kontribuese direkte, për shkëmbimin e informacionit për të gjithë shtetasit shqiptarë të përfshirë dhe në veprime konkrete me oficerë të Policisë Shqiptare”, tha Veliu.
Në anën tjetër, shefi i Divizionit të Hetimeve Kriminale të Skuadrës së Lëvizshme të Policisë Spanjolle, Ramón Chacón, duke dhënë detaje për aksionin, tha se shqiptarët “janë sekserët e kanabisit të Spanjë”.
SHIKONI EDHE: Shkatërrohet grupi i krimit të organizuar që kontrabandoi qindra shqiptarë në SHBA dhe Britani“Operacioni zgjati 1 vit dhe është operacioni më i madh kundër mafies shqiptare. Është e rëndësishme sepse, normalisht kemi shumë plantacione kanabisi. Ne jemi eksportues në Europë, kërkesa nga Gjermania është në rritje. Shqiptarët që vijnë këtu janë sekserët e marijuanës, sepse kontaktojnë mafien spanjolle që merret me ngritjen e shtëpive të barit dhe më pas gjejnë blerësit. Prandaj është e rëndësishme që të bashkëpunojmë me policinë shqiptare”, tha Chacón.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga Europol, ndër tjerash thuhet se ky grup kriminal i organizuar me bazë klani ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht. Disa nga anëtarët e saj të arrestuar kanë një histori të trafikut të drogës në vende të ndryshme.
“Europol e mbështeti këtë hetim duke siguruar ekspertizë të përshtatur dhe mbështetje të gjerë analize dhe duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit përmes kanaleve të tij të sigurta. Në ditën e aksionit, një post komandues virtual u krijua nga Europol për të siguruar koordinim të përsosur midis të gjitha autoriteteve të përfshira”, thuhet në komunikatë.
Gjatë këtij megaoperacioni u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh dhe 68.760 euro.