Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin Malin e Zi si një vend stabil, në rrugën e integrimit evropian dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet e huaja, ka thënë zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, pas takimit me presidentin malazias, Millo Gjukanoviq të mërkurën (7 korrik) në Podgoricë.
Sipas një njoftimi që është bërë nga presidenca e Malit të Zi, Palmer ka thënë gjithashtu se është në interesin e SHBA-së që së bashku me Bashkimit Evropian të kontribuojnë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa presidenti Gjukanoviq shprehu mirënjohje për një angazhim të shtuar të SHBA-së në rajon për arsye se “kjo është një mënyrë e mirë për të ulur ndikimin malinj që bartë rrezikun e destabilizimit”.
Në komunikatë nuk përmenden vendet që mund të ushtrojnë ndikim qëllimkeq në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por vitet e fundit rajoni ka parë rritje të ndikimit rus dhe kinez përmes investimeve ekonomike dhe tash së fundi edhe përmes furnizimit me vaksina kundër koronavirusit.
Vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina) synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mirëpo Brukseli nuk ka treguar gatishmëri për të përshpejtuar pranimit e këtyre vendeve në bllokun 27 anëtarësh, pjesërisht edhe për shkak të mungesës së reformave në sundim të ligjit.
SHIKONI EDHE: Fukuyama: Kina nuk ka vetëm interesa ekonomike në BallkanNë fund të javës së kaluar, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Palmer mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Prespa Forum” ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai shprehu dëshpërimin e tij që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjë që, sipas tij, mund të rrisë skepticizmin, por edhe mund të minojë rolin e SHBA-së dhe Evropës në sigurinë dhe integrimin e rajonit.
Palmer shprehu zhgënjimin edhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.