Këshilli i Evropës bën thirrje për riatdhesimin e të ndaluarve në Siri

Kampi al-Hol për të zhvendosurit ku mbahen familjet e luftëtarëve të huaj të Shtetit Islamik (IS). Fotografi nga arkivi.

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit që të lejojnë riatdhesimin e shtetasve të tyre të arrestuar në Siri.

Këshilli i Evropës është organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinentin evropian.

Franca dhe Britania e Madhe janë ndër vendet me refuzuese për riatdhesimin e të burgosurve në Siri, të cilët kanë qenë të lidhur me grupin ekstremist, të ashtuquajtur “Shteti Islamik”.

Disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Holandën kanë riatdhesuar disa qytetarë që luftuan përkrahë xhihadistëve, por vendet tjera kanë pranuar kthimin vetëm të grave dhe fëmijëve që ishin me ta.

Parisi dhe Londra, insistojnë se personat që iu bashkuan IS-it, duhet të mbahen në kampet e kontrolluara nga kurdët, dhe të njëjtit duhet të gjykohen dhe dënohen nga gjykatat lokale.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Por, sipas deklaratës së Mijatoviq, veprat e shtetasve të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, “bien nën juridiksionin e këtyre vendeve”.

"Gjendja në kampe rrezikon jetën dhe shëndetin fizik dhe mendor të të ndaluarve atje, veçanërisht të fëmijëve", tha ajo.

Një trajtim i tillë në këto kampe, sipas saj, është në kundërshtim edhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kampi Al-Hol në verilindje të Sirisë mban gati 63.000 njerëz, përfshirë mijëra nga Evropa dhe Azia. Shumica janë gra dhe fëmijë që u larguan atje pasi bastionet e fundit të IS-it u shkatërruan dy vjet më parë.

Organizatat humanitare kanë paralajmëruar për kushtet e këqija në Al-Hol. Të ndaluarve aty u mungon kujdesi shëndetësorë dhe uji.

"Largimi i të gjithë fëmijëve të huaj nga kampet është një përparësi dhe detyrim", tha Mijatoviq.

Më 30 qershor, Kryq i Kuq Ndërkombëtar (ICRC) tha se qindra fëmijë janë të burgosur në burgjet e të rriturve në Sirinë verilindore.

Agjencia tha se fëmijët, kryesisht djem, janë dërguar në burgje pasi janë marrë nga kampi al-Hol, i drejtuar nga forcat kurde siriane.

Kurdët e Sirisë të premten kërkuan ndihmë ndërkombëtare për të ngritur qendra rehabilitimi për të miturit të lidhur me grupin e Shtetit Islamik, pas akuzave se ata mbanin "qindra fëmijë" në burgjet e të rriturve.

SHIKONI EDHE: Qindra fëmijë po mbahen në burgje në Siri, thotë Kryqi i Kuq

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjithashtu u ka bër presion aleatëve për të rikthyer shtetasit e arrestuar për pjesëmarrje në grupin e Shtetit Islamik, duke paralajmëruar se nuk mund të mbaheshin në Siri për një kohë të pacaktuar.

Shtetasit e Kosovës në Siri

Rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut. Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, më së shumti atje ka fëmijë.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se sipas të dhënave të fundit që posedojnë, në zonën e konfliktit edhe më tej vazhdojnë të jenë gjithsej 96 kosovarë, prej të cilëve 43 burra, nëntë gra dhe 44 fëmijë, (përfshirë këtu edhe 32 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit nga së paku njëri prind kosovar). Ndërkaq, organizata Iniciativa Atlantike nga Sarajeva thotë se në zonat e konfliktit vazhdojnë të jenë 97 persona nga Kosova, ndërkaq 400 në total nga Ballkani Perëndimor.

Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Por, për grupin e mbetur në Siri, institucionet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse po punohet për riatdhesimin e tyre.