Kina kërcënon fuqitë e huaja kundër përpjekjes për ndikim

Një ekran tregon Presidentin Kinez Xi Jinping duke folur gjatë një ceremonie për të shënuar 100 vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste Kineze në pushtet në Sheshin Tiananmen në Pekin 1 korrik 2021

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka paralajmëruar fuqitë e huaja kundër përpjekjes për të provokuar ose të ndikojnë në vendin e tij.

Më 1 korrik shënohet njëqindvjetori i Partisë Komuniste të Kinës.

Në një fjalim televiziv të mbajtur nga Sheshi Tiananmen, presidenti Xi Jinping, vlerësoi arritjet e partisë duke theksuar rolin e saj në sjelljen e përparimit ekonomik dhe statusit global të Kinës.

"Kinezët kurrë nuk kanë shtypur ose skllavëruar njerëzit e një kombi tjetër. Kinezët janë një popull me një ndjenjë të fortë krenarie dhe vetëbesimi”, tha presidenti kinez.

"Suksesi i Kinës varet nga partia", tha udhëheqësi më i fuqishëm kinez që nga Mao Ce Duni.

SHIKONI EDHE: Pekini akuzon NATO-n për ekzagjerim të kërcënimit nga Kina

Festa e njëqindvjetorit të Partisë Komuniste po ndodhë në një kohë kur ekonomia e dytë më e madhe në botë shihet gjithnjë e më shumë nga Perëndimi si një rival politik, ekonomik dhe ushtarak.

"Populli kinez nuk do të lejojë absolutisht asnjë forcë të huaj të na ngacmojë, shtypë ose skllavërojë dhe kushdo që përpiqet ta bëjë këtë do të përballet me gjakderdhje përpara Murit të Madh të hekurt të 1.4 miliardë njerëzve kinezë”, tha presidenti kinez.

Xi Jinping nuk përmendi se cilat janë këto forca të huaja, por Kina është në një rivalitet me Shtetet e Bashkuara dhe ka disa probleme me fqinjët e saj, duke përfshirë një mosmarrëveshje territoriale me Indinë dhe vendet në kufi me Detin e Kinës Jugore.

Në fjalimin një orësh, presidenti kinez, Xi Jinping, u zotua se do të ndërtojë një ushtri të fuqishme, derisa bëri thirrje për "ribashkimin" e Tajvanit dhe theksoi se stabiliteti i Hong Kongut dhe Makaus do të sigurohet, duke mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës.

SHIKONI EDHE: Stoltenberg: NATO duhet të përballet me rritjen e Kinës

Kohët e fundit, Kina po përballet me kritika dhe sanksione ndërkombëtare për ndalimin e më shumë se 1 milionë ujgurëve dhe pakicave tjera myslimane në rajonin e Ksinjiangut.

Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur termin gjenocid në përshkrimin e ngjarjeve atje.

Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1 milion pjesëtarë të këtyre grupeve etnike janë arrestuar dhe janë dërguar në qendra të mbajtjes.

Kina thotë se ato janë "qendra kundër-ekstremizmit" dhe shërbejnë si objekte të “arsimit profesional" që synojnë të ndihmojnë njerëzit të largohen nga terrorizmi dhe t'i lejojnë ata të riintegrohen në shoqëri.

Por, komuniteti ndërkombëtar ka thënë se në ato kampe këta njerëz bëjnë “punë të detyruar” dhe trajtohen në mënyrë çnjerëzore.

SHIKONI EDHE: AI: Kina po kryen krime kundër njerëzimit në Ksinjiang

Presionet ndaj Kinës janë shtuar edhe për shkak të miratimit të një ligji të sigurisë për Hong Kongut dhe shtypjes së zërave pro-demokracisë atje.

Ligji, që është kritikuar ndërkombëtarisht, i kthen në vepra penale: thirrjet për shkëputje të territorit, terrorizmin, bashkëpunimin me forcat e huaja dhe përfshin edhe ndëshkimin për burgim të përjetshëm.

Autoritetet në Pekin dhe Hong Kong, kanë thënë se legjislacioni ka qenë i nevojshëm për të sjellë stabilitet, por kritikët besojnë se ai synon të heshtë disidentët.

Qindra persona janë arrestuar nën këtë ligj.

Hong Kongu është pjesë e Kinës, mirëpo funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, çka nënkupton se ky qytet ka sistemin e vet ligjor dhe të drejtat, që përfshijnë atë për liri të shprehjes dhe liri të shtypit.

Shumë persona në Hong Kong, ashtu sikurse edhe grupe për të drejta të njeriut në demokracitë perëndimore, kanë akuzuar Pekinin për shkatërrim të lirive dhe autonomisë së këtij qyteti në vitet e fundit.

"Ne do t'i qëndrojmë besnikë parimit të ‘një vendi, dy sisteme’, nën të cilin njerëzit e Hong Kongut administrojnë Hong Kongun me një shkallë të lartë të autonomisë", tha presidenti kinez.

SHIKONI EDHE: Hong Kong: Nis gjyqi i parë nën Ligjin e ri për siguri kombëtare

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës janë përkeqësuar në kohët e fundit për shkak të tregtisë, spiunazhit dhe pandemisë.

Çështja e Tajvanit është gjithashtu një burim kryesor i tensionit. Derisa Tajvani demokratik e sheh veten si një shtet sovran, Pekini e konsideron atë si një provincë të shkëputur.

SHBA-ja në bazë të ligjeve të veta parasheh që t'i sigurojë Tajvanit mjetet për t'u mbrojtur nëse Pekini përdor forcën për të marrë ishullin përsëri.

Të enjten, presidenti kinez tha se ai mban një "angazhim të patundur" për bashkimin me Tajvanin.

"Askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë, vullnetin dhe aftësinë e popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin e tij kombëtar dhe integritetin territorial", tha ai.

SHIKONI EDHE: Kina dërgon aeroplanë ushtarakë në afërsi të Tajvanit

Projekti global i Kinës, “Një brez një rrugë” ka ngjallur shqetësime në Perëndim, pasi po vlerësohet si një projekt i shtrirjes së ndikimit kinez në botë.

Që prej se u lansua më 2013 nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, nisma ka ndarë qindra miliarda dollarë për infrastrukturën e jashtme, duke rritur tregtinë dhe duke hapur rrugë që Pekini të krijojë lidhje të reja politike dhe ekonomike në mbarë botën.

Shumë vende kanë marrë kredi nga Kina për projekte infrastrukturore dhe tash e kanë të vështirë kthimin e tyre.

Kjo, nga Perëndimi po shihet si një “kurth” i Kinës për të vendosur nën ndikim këto vende.

I tillë është rasti me Malin e Zi, i cili ka marrë një kredi për financimin e një autostrade dhe tash ka vështirësi në kthimin e borgjit. Podgorica tash po kërkon ndihmën e BE-së.

SHIKONI EDHE: Mali i Zi i ngufatur në borxhe - asnjë opsion i qartë për të

Në samitin e G7-ës të mbajtur në mesin e muajit qershor, liderët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Kanadasë, Gjermanisë dhe Japonisë dolën me një plan alternativ të investimeve në infrastrukturën globale për të rivalizuar planin kinez.

Pandemia e koronavirusit është një çështje tjetër që ka rritur tensionet mes Perëndimit dhe Kinës.

Koronavirusi i ri u paraqit për herë të parë në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019.

Shtetet e Bashkuara, por edhe vende tjera perëndimore e kanë akuzuar Kinën për trajtim të dobët të pandemisë që në fillimet e saj.

Madje, zyrtarët e administratës së ish-presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e kishin mohuar mundësinë që virusi të ketë dalë nga një laborator kinez.

Pekini i ka mohuar pretendimet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, urdhëroi më 26 maj agjencitë e inteligjencës amerikane, që për një periudhë prej tre muajsh t'i raportonin atij nëse koronavirusit i ri e ka burimin te kafshët apo nga ndonjë aksident laboratorik.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë është thënë se dy agjenci në komunitetin e inteligjencës - prej 18 të tillave - anojnë nga hipoteza për bartje të virusit nga natyra.

Përgatiti: Kestrin Kumnova