Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehën dëshirën që liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë të zbatohet sa më shpejt në të gjithë rajonin.
Të tre liderët mbajtën një video-konferencë për të diskutuar iniciativën e "mini- Shengenit".
Përmes një komunikate nga Presidenca e Serbisë, thuhet se të tria vendet “do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mënyra të reja, mundësi politike dhe instrumente financiare, në mënyrë që të rrisin kontributin e tyre në Evropë dhe të forcojnë lidhjet me Bashkimin Evropian.
“Si dhe gradualisht të integrojnë rajonin me tregun unik evropian”, thuhet në deklaratë.
Mini-shengeni është një nismë e përbashkët e Vuçiqit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë.
Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator, 2020, në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të mini-Shengenit.
SHIKONI EDHE: A po i bashkohet Kosova "mini-Shengenit" ballkanik?Duke folur për “Agjendën e Gjelbër”, Rama, Vuçiq dhe Zaev iu bën thirrje BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për të "mbështetur zhvillimin e projekteve në vendet e rajonit përmes së cilave do të mund të investohej sa më shpejt të jetë e mundur në mbrojtjen dhe rritjen e përdorimit të gjerë të burimeve të rinovueshme, si pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
"Vendet tona kanë një potencial të madh për zhvillimin e këtij sektori. Ne do të kërkojmë mbështetje praktike për projektet që mund të përmirësojnë rajonin tonë në drejtim të burimeve të ripërtëritshme të energjisë", thanë pjesëmarrësit në video konferencë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovina) në nëntor të vitit 2020 në Sofje të Bullgarisë kanë nënshkruar deklaratën mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në kuadër të saj parashihen disa masa, ndër të cilat edhe harmonizimi i ligjeve të mjedisit me ato të BE-së dhe një sërë masash tjera për rritjen e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme.
SHIKONI EDHE: Mini-Shengeni për eliminimin e barrierave të CEFTA-sTre liderët gjithashtu ranë dakord që më 29 korrik të takohen në Shkup për të shqyrtuar ecurinë e zbatimit të iniciativave dhe projekteve ekzistuese dhe për të nënshkruar marrëveshje shtesë për zbatimin e angazhimeve në kuadër të Procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.