Grupet militante nga Afganistani, rrezik për SHBA-në, thotë Pentagoni

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin dhe shefi i Ushtrisë Amerikane, Mark Milley në një seancë dëgjimore në Kongres.

Për dy vjet, grupet militante ndërkombëtare, siç është Al-Kaida, mund të paraqesin rrezik për tokën amerikane dhe aleatët e SHBA-së.

"Mbase do të duheshin dy vjet që ata të zhvillonin këtë aftësi", tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, gjatë një seance dëgjimore në Kongres.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjeneral Mark Milley, tha se edhe ai pajtohet me këtë afat, por për momentin ekziston një rrezik mesatar.

"Ky rrezik padyshim se do të rritej nëse do të ketë një kolaps të qeverisë afgane, ose një shpërbërje të forcave afgane të sigurisë", tha Milley.

Dhuna është rritur ndjeshëm në të gjithë Afganistanin që kur Shtetet e Bashkuara në muajin prill njoftuan planet për të tërhequr të gjitha trupat e tyre deri më 11 shtator.

Nga Afganistani do të tërhiqen, përmes një procesi të koordinuar, edhe forcat e NATO-s.

Ekzistojnë shqetësime se pas tërheqjes së forcave të huaja, forcat e sigurisë së Afganistanit nuk do të jenë në gjendje të mbajnë sigurinë.

Kryengritësit talibanë po luftojnë trupat qeveritare në 26 nga 34 provincat e Afganistanit, thonë zyrtarët e qeverisë.

SHIKONI EDHE: Frika e punonjësve afganë: “Talibanët do të na vrasin”

Presidenti amerikan, Joe Biden, pas samitit të NATO-s më 14 qershor, ka thënë se ekziston pajtueshmëri e fuqishme në mesin e liderëve të NATO-s, sa i takon Afganistanit.

“Trupat tanë po kthehen në shtëpi, mirëpo ne jemi pajtuar që përkushtimi ynë diplomatik, ekonomik dhe humanitar për popullin afgan dhe mbështetjen tonë për forcat e sigurisë afgane do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Zyrtarë të lartë afganë thonë se talibanët po përdorin forcë në përpjekje për të fituar territor derisa trupat e huaja po tërhiqen. Talibanët kanë zhvilluar një kryengritje dy dekadëshe që kur u dëbuan nga pushteti nga trupat e udhëhequra nga SHBA-ja më 2001.

Anëtarët e aleancës së mbështetur nga SHBA-ja ranë dakord në muajin prill për të përfunduar misionin e tyre me 9.600 njerëz në Afganistan, pasi presidenti amerikan, Joe Biden bëri thirrje për t'i dhënë fund luftës më të gjatë të Uashingtonit, e cila filloi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane.