Politikani opozitar i burgosur në Rusi, Aleksei Navalny, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është një “gënjeshtar që nuk mund të ndalet së gënjyeri”.
Reagimi i tij vjen pas deklaratave të Putinit se Navalny e ka injoruar ligjin dhe e ka ditur se çfarë do t’i ndodhë nëse kthehet nga Gjermania në Rusi.
Këto komente Putin i bëri më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës pasi u takua me presidentin amerikan, Joe Biden.
Në Gjermani, Navalny është trajtuar si pasojë e helmimit me një agjent nervor brenda Rusisë.
Helmimi tij kishte ndodhur gjatë një udhëtimi nga Siberia për në Moskë.
SHIKONI EDHE: Biden: Agjenda ime s’është kundër Rusisë, është për AmerikënPërmes një postimi në rrjetin social Instagram, Navalny shkroi se Putini mbase vuan nga një "sëmundje psikiatrike për shkak të posedimit të shumave pa kufi të parave dhe të qenët në pushtet për një kohë të gjatë".
"(Ai) thjesht nuk thotë asnjë fjalë të vërtetë. Edhe kur e di se gënjeshtrat e tij do të zbulohen menjëherë”, shkroi Navalny.
Ai u bëri thirrje rusëve që duke përdorur sistemin e Votimit të Mençur, të cilin e ka përgatitur ai dhe ekipi tij, të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të cilat pritet të mbahen në shtator për të mundësuar rrëzimin nga pushteti të partisë Rusia e Bashkuar.
Më herët, një gjykatë në Moskë u ka ndaluar veprimtarinë organizatave politike të lidhura me kritikun e burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalny, duke i shpallur ato “ekstremiste”.
Aktivistët do të përballen me burgim nëse vazhdojnë punën e tyre dhe secilit që mbështet publikisht rrjetin politik të Navalnyt, mund t’i ndalohet gara për pozita publike.
Përmes rrjeteve sociale, Navalny është zotuar se nuk do të zmbrapset. Zgjedhjet parlamentare ruse pritet të mbahen në muajin shtator, dhe sondazhet tregojnë se partia në pushtet po humb përkrahjen.
Navalny ka fajësuar Putinin për dhënie të urdhrit për helmim, mirëpo Kremlini mohon diçka të tillë.