Mijëra protestues u mblodhën në Budapest të Hungarisë për të kundërshtuar një projektligj që do të ndalojë diskutimet për homoseksualitetin ose ndryshimin e gjinisë në shkolla. Protesta u mbajt para ndërtesës së parlamentit hungarez.
Pjesëmarrësit mbanin flamurin me ngjyrat e ylberit që është një simbol i komunitetit LGBT ( lezbiket, homoseksualë, biseksualët dhe transgjinorët).
Partia konservatore Fidesz e kryeministrit, Viktor Orban ka paraparë që projektligji të votohet më 15 qershor. Në projektligj thuhet se fëmijëve duhet t’iu ndalohet përmbajtja që inkurajon ndryshimin e gjinisë ose raportet mes të njëjtës gjini.
Ndalesa do të vlente edhe për reklamat. Projektligji gjithashtu synon krijimin e një liste të njerëzve që do të i'u lejohej të mbajnë ligjerata për edukimin seksual në shkolla.
SHIKONI EDHE: Hungaria synon të ndalojë përmbajtjen LGBT për të mituritNjë protestues tha se projektligji është "i tmerrshëm dhe çnjerëzor".
“Ky legjislacion kufizon lirinë e shprehjes dhe arsimimit për të gjithë hungarezët”, ka thënë më 14 qershor, Dunja Mijatoviq, komisionare për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinentin evropian.
Ajo u bëri thirrje ligjvënësve hungarezë të refuzojnë projektligjin.
Orban dhe aleatët e tij qeverisës kanë shumicën në parlament.
Qeveria e Hungarisë dhe ajo e Polonisë janë nën hetime të Bashkimit Evropian, për shkelje të dyshuara të standardeve të BE-së.
Asnjëri prej këtyre vendeve nuk i njeh martesat midis çifteve të gjinisë së njëjtë.
Kushtetuta e Hungarisë thotë se martesa është për çiftet heteroseksuale.