Shoqëria civile kundërshton shkarkimin e Valdete Dakës

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Disa organizata joqeveritare në Kosovë e kanë kundërshtuar vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu për të shkarkuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

“Ky vendim konsiderojmë se është i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit”, thuhet në reagimin e organizatave Demokracia në Zhvillim, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, ai për Studime Politike, Lëvizja Fol, Organizata Nëna Tereze, Çohu, Syri Vizionit, Demokracia Plus, INDEP dhe INPO.

Sipas këtyre organizatave argumentet e shtruara nga presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse.

“Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote”, thuhet në reagim, në të cilin rikujtohet se puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

SHIKONI EDHE: Kreshnik Radoniqi, kryetar i ri i KQZ-së

Më herët presidentja Osmani e shkarkoi nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

Pas shkarkimit të Dakës, Osmani emëroi Kreshnik Radoniqin, kryetar të ri të KQZ-së, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.

Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.