Pas 12 vjetësh në pushtet, Benjamin Netanyahu humbi postin e kryeministrit pasi Parlamenti i Izraelit votoi një qeveri të re të koalicionit.
Nga 120 deputetët e Parlamentit të Izraelit, pro kabinetit të ri qeveritar votuan 60 ndërsa 59 ishin kundër.
Qeveria e re do të drejtohet nga nacionalisti i krahut të djathtë, Naftali Bennett, nga partia Yamina, i cili u betua në postin e kryeministrit dhe do të drejtojë një koalicion të gjerë të partive.
Bennett ka një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me një udhëheqës të një partie të qendrës.
Sipas marrëveshjes së koalicionit, Bennett, i cili udhëheq partinë Yamina, do të ushtrojë postin e kryeministrit deri në shtator të vitit 2023, dhe më pas do t'ia dorëzojë atë, Yair Lapid, udhëheqësit të partisë Yesh Atid.
Netanyahu, si kreu i partisë së djathtë Likud do të jetë lider i opozitës.
Më herët ai e ka sulmuar qeverinë e re, duke e quajtur atë një "koalicion të rrezikshëm mashtrimi dhe dorëzimi" dhe është zotuar se do ta "rrëzojë shumë shpejt".
Ndaj Netanyahut po vazhdon gjyqi lidhur me akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Ai i mohon akuzat.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për sigurinë e Izraelit dhe do të punojnë me qeverinë e re.