Koçani dhe Shkupi me ajër të rrezikshëm për shëndetin

Ndotja e ajrit në Shkup, mezi shihen ndërtesat.

Të dhënat e qendrave matëse në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut tregojnë se qytetarët thithin ajër të ndotur.

Në ueb faqen mojvozduh.eu që paraqet të dhënat për kualitetin e ajrit në Evropë, qyteti i Koçanit ishte i vetmi qytet në Evropë që ishte kategorizuar me ngjyrë vjollcë, që përbën shkallë të lartë të rrezikut sa i takon cilësisë së ajrit.

Ndërsa ajri në qytetin e Shkupit ishte definuar me rrezik për grupet e ndjeshme përkatësisht për të sëmurët kronikë, gratë shtatëzëna dhe fëmijët, e të tjerë.

Valentin Tasevki, aktivist për mbrojtjen e ambientit jetësor si shumë problematike e sheh mosveprimin e inspektoratit ndaj të gjithë atyre që ndotin ajrin.

“Inspektorati, pasi të ketë verifikuar gjendjen faktike duhet të veprojë nëse kompani të caktuara punojnë në bazë të licencave të marra dhe e dyta nevojitet monitorim i vazhdueshëm i të njëjtave, sepse çdo kush kur e din se nuk kontrollohet vendos përpara përfitimin në vend të kujdesit për ambientin”, thotë Tasevski.

SHIKONI EDHE: Shkupi me masa të jashtëzakonshme kundër ndotjes së ajrit

Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror në Maqedoninë e Veriut, Ana Petkovska për Radion Evropa e Lirë thotë se në 37 komuna të vendit mungojnë inspektorët.

“Bëhet fjalë për inspektorë të cilët i angazhojnë komunat, kryetarët e komunave dhe mund të them se diku në 37 komuna mungon inspektori i autorizuar, kështu që kemi problem serioz për sa i takon kontrollit të ndotësve”, thotë Petkovska.

Në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, mbi 1600 persona në Maqedoninë e Veriut, vdesin si pasojë e ajrit të ndotur.

Mjekët në Maqedoninë e Veriut kanë ndezur alarmin se ndotja e ajrit ka rritur numrin e fëmijëve të sëmurë edhe jashtë sezonit të gripit.

Ata thonë se gjithnjë e më shumë fëmijë vuajnë pasojat e ajrit të ndotur, përfshirë pasojat që shkakton ajri i ndotur në zhvillimin e trurit të fëmijëve.

Bllagica Mançeva mjeke pulmologe për Radion Evropa e Lirë thotë se ajri i ndotur bën që fëmijët të jenë më të ekspozuar nga rreziku i infeksioneve të ndryshme në mushkëri.

“Gjithnjë e më të shpeshta janë infeksionet në organet respiratore, prindërit i sjellin fëmijët me sekret të hundëve, pastaj sy të skuqur, kollitje,... por në anën tjetër pa u konstatuar se bëhet fjalë për virus apo baterie, dhe kjo është si rrjedhojë e pranisë së shtuar të grimcave PM në ajër”, thekson mjekja Bllagica Mançeva duke shtuar se ajri i ndotur godet edhe në zhvillimin e trurit tek fëmijët.

Ndërkaq aktivistja, Nevena Georgievska, për Radion Evropa e Lirë thotë se ndotja e ajrit ka bërë që shumë fëmijë në Maqedoninë e Veriut edhe jashtë sezonit të gripit të sëmuren .

SHIKONI EDHE: Pandemia rrit interesimin e qytetarëve që të përdorin biçikletat për transport

Georgievska thotë se edhe para pandemisë fëmijët e saj i ka detyruar të mbajnë maskë gjithmonë kur kanë dalur të luajnë me shokët e tyre në park, në orët e mbrëmjes, për ti mbrojtur nga ajri ndotur dhe nga infeksionet në sistemin respirator.

“Fillova të ndjek me vëmendje se çfarë po ndodh në vendin tonë, pse ftohjet e vogla që nuk janë aspak serioze jo rrallë herë përfundojnë me pneumoni, pash se edhe gjatë verës në vendin tonë shumë qytete janë me shkallë të lartë ndotjes së ajrit", tha ajo.

Aktiviteti im, shton ajo, ka të bëjë me mënyrat se si mund të kontribuojmë për uljen e ndotjes së ajrit, veçanërisht për të mundësuar ajër të pastër për fëmijët tanë, pasi mushkëritë e fëmijëve janë në zhvillim e sipër dhe ndotja e ajrit mund të shkaktoj pasoja që do ti bartin tërë jetën.

Përderisa në vazhdimësi autoritet qeveritare theksojnë se mbeten të përkushtuara në realizmin e “Agjendës së Gjelbër”, Arianit Xhaferi nga organizata për mbrojtjen e ambientit jetësore për Radion Evropa e Lirë thekson se me vet faktin që gjatë vitit të kaluar dy herë me radhë gjatë rishikimit të buxhetit janë pakësuar mjetet për sa i takon mbrojtjes së ambientit, tregon qartë për qasjen joserioze të shtetit.

“Shumica parlamentare gjatë rishikimit të buxhetit gjatë pandemisë votoi për shkurtimin e mjeteve për dikasterin e ambientit edhe në një vit pandemie kur dihet se ndotja e ajrit ndikon në përhapjen më të shpejtë të viruseve", thotë ai.

Prandaj, sipas tij, autoritetet shumë pak i kanë kushtuar rëndësi kësaj teme.

Nuk është e rastit që më shumë kërkohet të investohet në modernizimin e industrisë, transportin publik në ato qytete ku funksion dhe aty ku s'ka duhet vendosur.... shumë qytete të vendit mbeten me shkallë të lartë të ndotjes edhe jashtë sezonit të ngrohjes që tregon qartë se kush është ndotës i vërtetë”, thotë Xhaferi.

SHIKONI EDHE: Masat kundër ndotjes së ajrit në Maqedoninë e Veriut, pa rezultate

Autoritetet e vendit kanë theksuar se pas harmonizimit të legjislacionit me standardet evropiane që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit tani mbeten të përkushtuara në zbatimin e tyre.

Ministri i Ambientit, Naser Nuredini ka theksuar se nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve në përputhje me standardet evropiane, pasi, sipas tij, sfidë para institucioneve mbetet që me tërë kapacitetin e tyre të angazhohen në zbatimin e të njëjtave.