Biden do të mbajë konferencë i vetëm pas takimit me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe ai rus, Vladimir Putin.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan, Joe Biden do të mbajë i vetëm një konferencë për media, pas takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Dy liderët pritet të takohen më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

Tensionet mes dy vendeve kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit dhe paraqitja e Bidenit në konferencë, pa Putinin, po shihet si një tregues i këtyre raporteve.

Një zyrtar i administratës amerikane, që nuk deshi të identifikohej, tha se Biden, duke u paraqitur vetëm, do të ketë mundësi që përmes "një formati të duhur të komunikojë qartë me median lidhur me temat që janë diskutuar në takim", raporton Reuters.

SHIKONI EDHE: Biden paralajmëron Rusinë kundër “aktiviteteve të dëmshme”

Kjo mënyrë e komunikimit gjithashtu thekson dëshirën e administratës amerikane për të sfiduar Kremlinin dhe për të shmangur një lloj shfaqjeje komode me liderin rus, për të cilin Biden ka thënë se është "një vrasës".

Ajo gjithashtu dallon shumë me paraqitjen pas takimit të Putinit me paraardhësin e Bidenit, Donald Trump, në Helsinki më 2018. Pas atyre bisedimeve me dyer të mbyllura, Trump doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me Putinin, duke mbrojtur Rusinë pas vlerësimeve të inteligjencës amerikane se Moska ndërhyri në zgjedhjet presidenciale më 2016.

Biden gjendet në Kornuall të Mbretërisë së Bashkuar ku po merr pjesë në një samit me udhëheqës të tjerë të G7-ës, që do të përfshijë bisedime për Rusinë dhe Kinën. Ai më pas shkon në Bruksel për takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

"Ne presim që ky takim të jetë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë", tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

SHIKONI EDHE: Detyrat e vështira të Bidenit në turneun evropian

Biden fajëson Rusinë për sulmin kibernetik ndaj institucioneve amerikane dhe të paktën strehimin e kriminelëve që qëndrojnë prapa sulmeve kundër tubacionit kryesor të karburantit në SHBA dhe degës amerikane të fabrikës braziliane për përpunimin e mishit - JBS.

Biden gjithashtu do të bëjë presion mbi Putinin në lidhje me situatën në Ukrainë, burgosjen e kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny dhe mbështetjen e Alyaksandr Lukashenkas në Bjellorusi.

Por, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara duan një marrëdhënie "të qëndrueshme" me Rusinë që do t'iu mundësonte të dyja vendeve të punojnë së bashku për çështje të përbashkëta strategjike.

Putini tha në një intervistë të gjërë me NBC të transmetuar më 11 qershor se marrëdhënia SHBA-Rusi ishte "përkeqësuar në pikën më të ulët në vitet e fundit".