Shkupi dhe Sofja shënojnë festën e njëjtë të alfabetit

Flamuri i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Bashkimit Evropian.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të hënën kanë shënuar ditën e vëllezërve Kiri dhe Metodi, dy shenjtor ortodoks, themelues të alfabetit sllav, që me disa modifikime përdoren në të dyja shtetet.

Shënimi i kësaj ngjarjeje që për dyja vendet ka rëndësi të madhe historike, ka shërbyer si pretekst që drejtuesit e dy shteteve të përsërisin qëndrimet lidhur me kontestin sa i takon gjuhës dhe identitetit maqedonas që ka bllokuar hapjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Bullgaria pranon identitetin e ri maqedonas dhe gjuhën maqedonase të krijuara siç thonë pas vitit 1945, ndërsa para kësaj periudhe Sofja pretendon se ato kanë pasur rrënjë bullgare.

“Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së kalon përmes Sofjes. Ne duhet të ulemi njëri me tjetrin dhe sinqerisht të bisedojmë për zgjidhjen e problemeve dypalëshe”, ka deklaruar presidenti bullgar, Rumen Radev, vendi i të cilit në nëntor të vitit të kaluar përdori veton për të bllokuar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

SHIKONI EDHE: Zaev: Plani i Brukselit, bazë e mirë për heqjen e pengesave Shkup - Sofje 

Presidenti bullgar ka thënë se kontesti me Shkupin ka zgjuar interes të madh mes vendeve të BE-së, por pa përmendur fjalën presion.

"Unë nuk do ta them fjalën presion, por të mos harrojmë-Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian. Ne do t'i drejtohemi anëtarëve të tjerë të BE për solidaritet. Gjëja më e rëndësishme është të mos lejojmë që probleme të reja të futen në Union", tha presidenti bullgar Rumen Radev, i cili më 26 dhe 27 maj së bashku me presidentin maqedonas do të udhëtojnë në Romë të Italisë për të marr pjesë në një manifestim për nder të kësaj dite.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, tha se beson se fryma evropiane e këtij manifestimi do t'i japë shtysë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Bullgarinë.

"Unë besoj se fryma evropiane e Presidentëve Radev dhe Pendarovski do të jetë një nxitje për të bërë një hap përpara për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë", tha ai.

Manifestime të përbashkëta janë mbajtur edhe në ambasadat e dy vendeve në Beograd, Pragë, Varshavë dhe Kiev.

Më 21 maj, ministri i Jashtëm portugez, Augusto Silva dhe komisionari për Zgjerimit e BE-së, Oliver Varhelyi paraqitën në Shkup dhe Sofje një propozim të presidencën portugeze me BE-në për zgjidhjen e dallimeve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kryeministri, Zoran Zaev, tha se propozim paraqet një bazë të mirë për zgjidhje të kontestit, pasi sipas tij nuk cenon çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas, por pa dhënë detaje tjera mbi më kë propozim.